8 Dhjetori, FRD dhe Berisha marshim në nder të aktit heroik të studentëve që sollën demokracinë

Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka zhvilluar një marshim për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri me rastin e 8 Dhjetorit, Ditën kombëtare të Rinisë.
Marshimi u zhvillua nga Qyteti i Studentit drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesë ishte edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se diktatura e kishte sjellë shtypjen më të madhe në historinë shqiptare, duke izoluar vendin dhe duke ekzekutuar të rinjtë që tentonin të arrinin në liri. Berisha nënvizoi simbolikën e protestës së parë studentore në historinë e Shqipërisë, 34 vite më parë, që shënoi fillimet e një aspirate të madhe për liri dhe demokraci.
“Ne kemi patur një histori të dhimbshme dhe të vështirë. Në vitin 1912, u shpall pavarësia e kombit dhe liria e tij. Në vitin 1944, më 28 tetor, populli ynë u çlirua nga një pushtim i jashtëm, për të rënë po atë ditë me një pushtim të brendshëm barbar, më mizorin që kohërat kanë njohur në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Kjo diktaturë, në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën. Pikërisht, në këto rrethana, 34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit”, tha Berisha.
8 Dhjetori përkujton protestat studentore të 990, që shënuan një kthesë të madhe historike, duke kontribuar në rënien e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë në vend.
Nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, studentët dhe pedagogët nga Universiteti i Tiranës filluan protestat paqësore, duke kërkuar reforma politike dhe sociale në vend. Lëvizja studentore e 1990 mbetet një nga lëvizjet paqësore më të fuqishme që ka ndryshuar rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




