Ndërtoi pa leje në disa zona të Tiranës, dërgohet për gjykim biznesmeni Julian Morina

Aktualitet | 2 vite më parë

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim biznesmenin Juljan Morinën dhe shoqërinë e tij “Xheluks Construksion” për ndërtim të paligjshëm në disa raste në zona të ndryshme në Tiranë.

Hetimet janë shtrirë gjatë periudhës 2021-2024, ku prokuroria ka zbardhur disa shkelje të rënda nga ana e kompanisë “Xheluks Construksion” dhe drejtuesit të saj Julian Morina, duke ndërtuar një sipërfaqe pa leje në total prej 15.974.88m2.

Sipas prokurorisë është konstatuar se “Xheluks Construksion” ka tejkaluar lejet e ndërtimit për disa godina banimi dhe shërbimi në zonën e Liqenit të Thatë, Farkë dhe në Rrugën e Elbasanit.

Julian Morina dhe kompania e tij “Xheluks Construksion” do të përballen në gjyq për veprën penale “ndërtim pa leje” dhe “tejkalim  të lejeve të ndërtimit”.

Rastet e ndërtimeve pa leje

Konkretisht në zonën e Liqenit të Thatë është shtuar një sipërfaqe ndërtimi dhe volum shtesë prej 2500m². Kompania ‘Xheluks Construksion’ ishte pajisur me leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbime 1,2,3,4,5 dhe 6 kate me 2 dhe 3 kate nën tokë, por ka tejkaluar sipërfaqen e ndërtimit duke shtuar 2500m2.

Gjithashtu po në të njëjtën zonë u konstatua pa leje një objekt me 7 kate dhe 2 kate nën tokë, me sipërfaqe 4622 m2. Subjekti tejkaloi lejen e ndërtimit edhe në godinat e tjera në këtë zonë, duke krijuar sipërfaqe shtesë në lartësi dhe volum me rreth 3065.8m2.

Edhe në ndërtimet  e bëra në Rrugën e Elbasanit, sipas prokurorisë, rezultoi se një pjesë e tyre kanë dalë jashtë lejes së miratuar. Në objektin ‘Godinë banimi dhe shërbimi’ 4,5,6 dhe 7 me 2 kate parkim në Rr. Elbasanit, u regjistrua një shtesë ndërtimi prej 5866.88m2.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme