Meta ankimon masën “arrest me burg”, Gjokutaj: Vendimi i bazuar në hamendësime

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Ankimimi u depozitua sot nga avokati i Metës, Genc Gjokutaj, i cili tha për mediat se vendimi i “arrestit me burg” është i pabazuar në prova. Sipas Gjokutajt, ato që SPAK i konsideron prova “janë hamendësime”.
“Qëndrimi jonë ishte që në fillim kundër kërkesës së SPAK dhe Gjykatës. Kjo masë nuk ka asnjë lloj kriteri për t’u vendosur. Zoti Meta ka qenë në dispozicion të hetimit. Nuk ka edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova, ky është një vendim i tipit thashetheme, pra fjalë që ata i kombinojnë ka thënë ky thonë. Është kërkuar letër porosi, treçereku kanë përgjigje negative dhe bëjnë lidhje që ‘blerja mendohet të jetë bërë në këtë orë dhe është një marrë një e dhënë që thotë që po brenda asaj dite mund të jetë bërë…”, pra është një vendim që bazohet në hamendësime të rrethanave të caktuara”, tha ai.
I pyetur nëse është depozituar kallëzim për mënyrën e arrestimit të Metës, që PL dhe vetë ish-presidenti e kanë cilësuar si “rrëmbim”, Gjokutaj tha se i është dërguar një kërkesë për informacion Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe më paa do të veprohet.
“Deputetët e PL kanë depozituar një kërkesë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për informacion në lidhej me këtë çështje. Të shikojmë çfarë do na thotë Policia e Shtetit në lidhje me atë procedurë. Sigurisht që ne kallëzimin e kemi gati, por të bëjmë një kallëzim dinjitoz të mbështetur në prova”, theksoi Gjokutaj.
Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK. Ndalimi i ish-presidentit u krye në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa Meta po i drejtohej selisë së partisë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




