Fushatë sensibilizimi kundër informalitetit, apel bizneseve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve

Punonjësit e sektorit privat vijojnë të përballen me fshehjen e pagave reale nga bizneset, i njohur ndryshe si “informaliteti gri”. Ky fenomen ekziston edhe në Korçë ku shumë biznese nuk deklarojnë pagat reale, duke ulur kështu nivelin e kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore, që ndikon drejtpërdrejt në nivelin e pensioneve.
Sipas ekspertëve informaliteti gri mbetet një sfidë, pasi në shumicën e rasteve bëhet me miratimin e të dy palëve.
“Është një kompromis dypalësh, punëmarrës-punëdhënës. Më shumë preket punëmarrësi për arsye se nëse deklaron një pagë mbi pagën minimalë ai do tatohet për sigurim shoqëror, sigurim shëndetësor dhe tatim mbi të ardhurat dhe në këtë prizën nuk është i interesuar të bëhet deklarimi i plotë i pagës”, u shpreh Fatmir Ceci, Kryetar i Institutit të Kontabilistëve në Korçë.
Nga ana tjetër Ceci thekson se një pjesë e bizneseve janë të interesuar për të deklaruar pagat reale por përballen me rezistencën e punonjësve.
“Ne kemi shkuar gjithmonë për sensibilizim të punonjësve por kemi hasur në këtë rezistencë. Ka shumë punëdhënës që duan të deklarojnë realitetin, por hasin këtë se punëmarrësi largohet”, u shpreh ai.
Qeveria ka nisur një aksion kundër infomalitetit, që synon deklarimin real të pagave dhe shëndoshjen e skemës së pensioneve, duke u bërë apel sipërmarrjeve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve, në të kundërt do të përballen me penalitete të rënda, deri në mbyllje të aktiviteteve.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




