Orban dhe  Wilders: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët një model shumë i mirë

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryeministri hungarez, Victor Orban dhe lideri i Partisë holandeze të Lirisë, Gert Wilders deklaruan të enjten se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është shumë e mirë, ndërkohë që përshëndetën Romën dhe Tiranën për këtë.

”Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës për emigrantët është e mirë: urime Italisë!”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban teksa mbërriti në samitin e parë të Patriotëve (Patriots for Europe), grupimi i tretë më i madh politik në Parlamentin Evropian, në selinë e përfaqësisë hungareze në Bruksel.

“Italia po dërgon njerëz në Shqipëri dhe për ne është një model i mirë, një shembull i mirë”, tha nga ana e tij Wilders.

”Ne në Holandë po mendojmë të bëjmë një gjë të ngjashme në Ugandë. Ka një erë të re në Evropë lidhur me emigrantët që po fryn gjithnjë e më e fortë dhe shpresoj se gjërat do të ndryshojnë”, shtoi ai.

”Jam krenar që Italia e ka bërë këtë hap, do të jetë e suksesshme”, theksoi Geert Wilders, lideri i PVV holandeze.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha të mërkurën se ”operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë, por më duket se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë u mor si shembull edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”.

”Në letrën drejtuar komisionerëve ajo tha se duhet kuptuar si një shembull pozitiv për të trajtuar çështjen e emigrantëve”, theksoi ai.

”Kujtojmë se të dy qendrat do të administrohen nga autoritetet italiane. Pra, është një investim për të luftuar emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore dhe për të dërguar në vendet e origjinës të gjitha ata që nuk do të kenë të drejtë të futen në Itali”, shtoi Tajani.

”Kjo është një zgjedhje konkrete dhe e guximshme, e cila mbledh konsensusin në Bashkimin Evropian”, shtoi Tajani për qendrën e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme