Trafikonin emigrantë nga Lindja e Mesme drejt Malit të Zi e Kosovës, 15 të arrestuar

Një rrjet i trafikimit të emigrantëve është shkatërruar, duke vënë në pranga 15 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndodhet jashtë vendit.
Drejtori i Policisë Tiranë Tonin Vocaj ka dhënë detaje lidhur me operacionin e koduar “Damask” ku tha se janë arrestuar 15 persona, mes të cilëve 3 janë me kombësi egjiptiane dhe sirianë. Hetimi për këtë veprimtari të trafikimit të emigrantëve kundrejt shumave të konsiderueshme kanë zgjatur për 12 muaj, ku emigrantët që vinin nga Lindja e Mesme hynin në vendin tonë nga Greqia dhe më pas ndihmoheshin të kalonin drejt Malit të Zi ose Kosovës.
“Pas një hetimi 12-mujor, në kuadër të këtij procedimi është bërë i mundur individualizimi i përgjegjësisë penale për 24 subjekte të këtij procedimi penal. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas. Gjatë fazës finale të operacionit janë arrestuar 15 shtetas, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane. Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore””, tha Vocaj.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim 4 shtetas, ku 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.
Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.
Shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa numri i emigrantëve që kanë kaluar ën mënyrë të paligjshme është tepër i lartë por ende nuk ka një shifër të saktë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




