Eco Tirana merr në administrim shërbimin e pastrimit në të gjitha zonat e kryeqytetit

Aktualitet | 2 vite më parë

Kompania “Eco Tirana” do të nisë një aksion të gjerë për pastrimin e të gjitha zonave problematike jashtë qendrës së Tiranës, pas braktisjes së punës nga kompanitë private, që ishin pajtuar për kryerjen e shërbimit. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me punonjësit e pastrimit, tha se kompania publike Eco Tirana do të marrë në dorë administrimin e të gjithë qytetit, për të ofruar të njëjtin shërbimi pastrimi, si në qendër ashtu edhe në periferi.

Vendimi nga autoritetet bashkiake erdhi pas presionit të kompanive private për të zgjatur kontratat e tyre për pastrimin e lagjeve të kryeqytetit. “Ne nuk dorëzohemi!” tha Veliaj “Kemi dy makina industriale, por presim edhe 18 të tjera. Kjo do të thotë se në dy muajt e ardhshëm do duhet që të operojmë me një sens emergjence në këto zona. Do duhet të bëjmë disa punë në avancë, përpara se të vijnë të gjitha mjetet dhe pajisjet teknike”, tha kreu i bashkisë. 

Kreu i Bashkisë iu përgjigj edhe sulmeve të opozitës, teksa siguroi qytetarët se puna do të vijojë. “Parashikoj që kjo gjendje e emergjencës do të vazhdojë edhe për disa javë, derisa të na vijnë të gjitha mjetet, duke qenë se privatët u tërhoqën përpara kohe me bllof. Por, unë nuk kam ndërmend ta pranoj bllofin e tyre. Ne e kemi pastruar këtë qytet me thonj, ia kemi dalë ta bëjmë edhe vullnetarisht. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë jo vetëm për ata që nuk kanë pastruar një ditë, ata që nuk kanë bërë asgjë në jetë” deklaroi Veliaj.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme