5 vatra aktive në vend, më problematike zjarret në Orosh dhe Kukës

Në të gjithë vendin janë 5 vatra aktive zjarri, ku disa prej tyre favorizohen nga era e fortë duke përhapur perimetrin e flakëve. Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 22 vatra, ndërsa vijojnë të jenë ende problematike zjarret në Orosh dhe në Kukës.
Edhe pse zjarri nuk paraqet problematikë për banesat, flakët kanë rënë në terren malor ku ndërhyrjet janë të vështira dhe favorizohen nga era.
Sipas Emergjencave Civile vijon puna për shuarjen e zjarreve në: fshatin Shëngjin, bashkia Mirditë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pishë dhe shkurre. Terreni shumë i vështirë dhe era e fortë favorizojnë flakët që po kalojnë në drejtim të fshatit Lajthizë, njësia administrative Orosh.
Në ndihmë të forcave vendore të Mirditës kanë shkuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse.
Në monitorim është situata në vatrën midis fshatit Mal i Bardhë dhe Skuraj, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin. Nuk ka rrezik për përhapje dhe për banesa.
Pa rrezik për banesat paraqitet edhe situata ne vatrën e zjarrit në fshatin Surroj në Kukës. Vatra ishte e izoluar por u riaktivizua si pasojë e erës. Në terren po punojnë forca të njësisë administrative dhe Shërbimi Pyjor.
Forcat operacionale janë duke punuar edhe në një tjetër vatër, ku ka patur riaktivizim të zjarrit si pasojë e erës, në fshatin Barrë në Kukës.
Një tjetër vatër zjarri është në fshatin Frakth, bashkia Mat, ku flakët po djegin një terren të thepisur shkëmbor në sipërfaqe pylli me ah. Situata është nën kontroll. Nuk ka rrezik për përhapje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




