Mblidhet Këshilli NATO-Ukrainë, me kërkesë të Kievit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pritet të mbledhi të mërkurën në nivel ambasadorësh Këshillin NATO-Ukrainë, me kërkesë të palës ukrainase.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbledhë të mërkurën (28 gusht) Këshillin NATO-Ukrainë. Takimi do të mbahet në nivel ambasadash dhe me kërkesë të Ukrainës”, tha zëdhënësja Farah Dakhlallah, në një deklaratë me shkrim.
Ajo tha se pritet që ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, të japë informacion për situatën dhe nevojat prioritare në fushën e betejës përmes një video-lidhjeje.
“Takimi po mbahet për shkak të sulmeve të fundit intensive ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase”, shtoi Dakhlallah.
Këshilli NATO-Ukrainë ishte themeluar vitin e kaluar për të siguruar koordinim më të afërt midis Aleancës dhe Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sulmet e Rusisë më 26 gusht i quajti si “një nga sulmet më intensive” kundër vendit të tij.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




