Zbardhet vrasja e Faik Ajdinit në Memaliaj, në pranga autori dhe 3 persona të tjerë

Aktualitet | 2 vite më parë

Është zbardhur vrasja e 72-vjeçarit Faik Ajdini, ngjarje e ndodhur më 19 gusht në Memaliaj. Policia ka vënë në pranga autorin, 23-vjeçarin Blerti Kanushi dhe 3 persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij.

Drejtori i Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa, tha se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet 72-vjeçarit dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur Blerti Kanushin, duke i krijuar kushtet dhe mjetet për kryerjen e vrasjes.

Kanushi, në bashkëpunim me Skënder Ajdinin, më datë 19 gusht, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të Ajdinit dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas kryerjes së krimit, çifti i bashkëshortëve Skëndër dhe Darovi Ajdini kanë kryer veprime për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Nga ana tjetër, Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar policinë për vendndodhjen e tij.

Blerti Kanushi u vu në pranga më 20 gusht, ndërsa po ashtu janë arrestuar edhe Skënder Ajdini, Darovi Ajdini dhe Bledar Ajdini.

Nga gjithë tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u arrit të gjenden dhe sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, thika me të cilën ka kryer krimin autori, si dhe sende e mjete të tjera të cilat kanë influencuar në rrethanat e ngjarjes, të shfrytëzuara nga të dyshuarit.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme