Berisha: Pas tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë qëndron Edi Rama

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për media (nga shtëpia ku vuan arrestin shtëpiak), akuzoi Kryeministrin Edi Rama se qëndron pas tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë.

Teksa u referohej mediave ndërkombëtare mbi lajmin e eksportit nga Shqipëria të 100 kontenierëve me dy anije të lëndëve të rrezikshme, Berisha thekson se autoritetet e vendit tonë po aplikojnë kodin e mafies.

“Vetëm pas shqetësimeve të mëdha dhe interesit direkt të institucioneve ndërkombëtare, autoritetet shqiptare deklaruan se ne, nuk kemi autorizuar eksportin e kontenierëve nga porti i Durrësit.

Kjo deklaratë skandaloze e autoriteteve zyrtare shqiptare, fajëson ata dhe dëshmon se prapa tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve të vendeve të tjera, qëndrojnë autoritetet më të larta të vendit, qëndron Edi Rama”, tha Berisha.

Ky i fundit u bëri thirrje OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së për të hetuar aferën e 100 kontenierëve.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte kriminale të papërgjegjësisë ekstreme të narkoqeverisë ndaj qytetarëve dhe u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontenierëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria.

Të gjendet përmbajtja e tyre dhe kush qëndron mbrapa.

Një gjë është e sigurtë, se ato nuk janë ngarkuar kurrë pa dijeninë e plotë të autoritetit portal, Piro Vengut dhe Lubi Ballukut dhe Edi Ramës”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme