Aksion pastrimi i parqeve kombëtare nga Alpet, deri në Llogora

Aktualitet | 2 vite më parë

“Dita Ndërkombëtare e Maleve të Pastra” këtë vit do të shenjohet si pjesë e një aksioni të madh pastrimi, nismë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe drejtorive të saj rajonale.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se nisma zhvillohet nën moton “10 parqe në 10 ditë”, dhe synon pastrimin e parqeve kombëtare nga datat 22 deri më 31 gusht.

“Ju ftoj t’i bashkoheni nismës “10 parqe në 10 ditë” nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, si një kontribut i gjithësecilit për pastrimin e zonave që mbrohen si parqe kombëtare apo natyrore, e sigurisht për të shijuar dhe promovuar edhe më tej Shqipërinë tonë nga Alpet e veriut deri në Llogora”, u shpreh Rama.

Shqipëria ka filluar të mbrojë parqet natyrore kombëtare që prej vitit 1940. Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe totale prej 109 050 hektarësh, 10.5 % e fondit pyjor dhe 3.8 % e sipërfaqes totale të tokës.

Zonat e mbrojtura në Shqipëri datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.

Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.

Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme