Zbardhja e vrasjes së Egli Progës, avokati Topalli: Nuk ka funksionuar zinxhiri Polici-Prokurori!

Pesë ditë nga ngjarja e rëndë në Pogradec, ku mbeti i vdekur 42 vjeçari Egli Proga, institucionet vijojnë përplasjen mes tyre për faktet e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe klasifikimin e veprës penale për të cilën akuzohet autori.
Për avokatin Stefan Topalli, i cili foli për RTSH24, kjo përplasje tregon se zinxhiri Polici-Prokurori nuk ka funksionuar si duhet.
Topalli theksoi se me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk mund të japë masë më të rëndë sigurie se ajo e kërkuar nga organi i akuzës.
Sipas avokatit, zbardhja e kësaj ngjarje kërkon kohë, ndërsa thotë se vepra penale ndaj autorit mund të rikualifikohet, nëse pretendimet e familjarëve të Eglit faktohen.
Denis Meçe, i arrestuar si autor i vrasjes së Egli Progës nuk është emër i panjohur për blutë e qytetit liqenor.
29-vjeçari ka pasur precedentë të mëparshëm penal, kryesisht në veprat penale që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, ndër to dhe plagosje të shtetasve të tjerë apo edhe kundërshtim të forcave të policisë.
Prokuroria e akuzon për “vrasje nga pakujdesia”, që nënkupton një masë dënimi më të ulët sesa vepra penale “vrasje me dashje” që kishte referuar në dosjen e ngjarjes policia.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




