Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, më shumë se 2000 vizitorë gjatë korrikut e gushtit

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar vijon të jetë muzeumi më i vizituar në qytetin e Korçës. Gjatë muajit korrik e 10 ditëve të para të gushtit janë regjistruar më shumë se 2000 vizitorë të cilët kryesisht kanë qenë të huaj. Sipas të dhënave 1400 vizitorë kanë zgjedhur këtë muze gjatë muajit korrik dhe rreth 630 të tjerë e kanë vizituar në 10 ditëshin e parë të gushtit. Ata shprehen të mahnitur nga historia e vlerat që mbart e ekspozon ky muze:
“Jam nga Nishi, Serbi. Ne të gjithë sëbashku kemi të njëjtën histori, jam vërtet i mrekulluar. Ne sapo mbërritëm këtu, vizita e parë ishte në muzeun mesjetar dhe më pas do të shohim katedralen ortodokse”, shprehet turisti.
“Erdhëm këtu sot, jemi nga Italia dhe po bëjmë një xhiro në Shqipëri, është shumë bukur, potenciali turistik është i madh, njerëzit janë shumë miqësorë. Pamë që është ky muzeu i artit bizantin dhe ikonave dhe vendosëm të vijmë ta vizitojmë. Na pëlqeu shumë dhe e këshilloj për të gjithë të vijnë këtu”, shprehet një tjetër.
“Pamë në guidë që ky ishte muzeu më i rëndësishëm i Shqipërisë për ikonat dhe vendosëm të vijmë ta vizitojmë, para se të vijojmë turin tonë nëpër Shqipëri. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri, erdhëm këtu në Korçë, më pas do të shkojmë në Berat, Gjirokastër dhe në fund një javë në Sarandë në det. Pra, pak kulturë e pak relaks, të gjitha bashkë”, sugjeroi turistja.
Në këtë muze vizitorët mund të informohen edhe nëpërmjet guidave audio në gjuhën angleze, frënge, ukrainase dhe shqipe, ndërsa është në përpunim edhe audio guida në gjuhën spanjolle. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka një fond të pasur prej 8000 objektesh nga te cilat 6500 ikona me vlera te papërsëritshme historike e kulturore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




