Akuzat e Vokshit për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta, po dëmtohemi qëllimisht

Pas akuzave të bëra një ditë më parë nga deputetja demokrate Albana Vokshi mbi skadencën e medikamenteve FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili në QSUT, ka ardhur dhe reagimi i kësaj të fundit.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hedhur poshtë akuzat e deputetes Vokshi duke garantuar se në këtë institucion nuk përdoren ilaçe të skaduara.
Sipas QSUT, po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor në shërgim të pacientëve.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët se lajmet e fundit të publikuara nga disa media për cilësinë e medikamenteve të përdorura në QSUNT, janë të PAVËRTETA! NË QSUNT NUK PËRDOREN ILAÇE TË SKADUARA!
Ato që janë servirur si “dokumente” dhe “prova” kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ, dhe NUK kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët.
KJO ËSHTË LEHTËSISHT E PROVUESHME në Farmacinë e Spitalit!
Ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, PO DËMTON QËLLIMISHT punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve”, thuhet në njoftim.
QSUT sqaron se në sistemin elektronik SISP, lëvizja e medikamenteve në të gjitha nivelet, nga Farmacia Qendrore deri në nivel pacienti, bëhet vetëm brenda vlefshmërisë (skadencës) së medikamentit, dhe pas këtij afati, çdo lëvizje bllokohet automatikisht nga sistemi në të gjitha nivelet.
“Theksojmë që për terapinë ditore të pacientit, ËSHTË E BLLOKUAR DHE E PAMUNDUR të shkarkohet një medikament i skaduar.
NUK EKZISTON DHE NUK KA ASNJË RAST APO MUNDËSI TË NDRYSHIMIT TË SKADENCËS SË NJË MEDIKAMENTI.
Në lidhje me rastin e pretenduar theksojmë se për nevoja administrative, me qëllim diferencimin e medikamentit të skaduar është kërkuar transferimi i sasisë së medikamentit të skaduar nga një magazinë në tjetrën. Kjo për arsye se medikamenti i skaduar fizikisht duhet zhvendosur në karantinën e përcaktuar për ruajtjen e medikamenteve të skaduara, sipas rregullave në fuqi. Kjo procedurë po përdoret në mënyrë spekulative si rast ku këto ilaçe janë përdorur për pacientët. Sigurojmë se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se sasia stok e medikamenteve të skaduara është e pandryshuar. Nëse do ishte përdorur, do kishte ndryshim të gjendjes stok, çka provon se ky pretendim i hedhur qëllimisht në media është dezinformues”, njofton QSUT
Për sa i përket citimit se është mashtruar Parlamenti, në korrespondencë zyrtare QSUNT është shprehur se: “Aktualisht në Farmacinë Qendrore NUK ka sasi të medikamentit Feiba (Factor VIII inhibitor bypassing activity) 1000 UI Flakon…; Kjo, pasi sasia e mbetur prej 1137 flakon nga donacioni i përfituar për herë të parë gjatë vitit 2023, me impakt buxhetor 0 (zero) lekë, është i papërdorshëm. Qartësojmë gjithashtu se medikamenti FEIBA, nuk është kemiopreparat.
Një ditë më parë Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi bëri publike emailet e ish-drejtoreshës së QSUT-së Albana Fico që urdhëronte drejtorin e IT, Rigers Haxhirajn që të ndryshonte datat e skadencës së ilaçeve me qëllim që të trajtoheshin fëmijët e sëmurë.
Sipas Vokshit, bëhej fjalë për një sasi prej 1137 flakon të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




