Vatër zjarri në Tepelenë, flakët djegin një sipërfaqe me bimësi, rrezikohen banesa

Një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Luzat të Tepelenës. Sipas burimeve të RTSH 24, flakët po djegin një sipërfaqe me bimësi në një faqe mali.
Flakët rrezikojnë banesat që janë afër.
Nuk dihet ende shkaku i zjarrit, ndërsa në terren për të bërë të mundur shuarjen e flakëve ndodhet ushtria dhe forcat zjarrëfikëse.
Në vendngjarje ka shkuar edhe Ministri Mbrojtjes, Pirro Vëngu i shoqëruar edhe nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër Odise Kote dhe Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneralmajor Ilir Xhebexhia.
Teksa parashtroi situatën, Ministri Vengu tha se është kërkuar edhe bashkëpunimi i banorëve të zonës, në rast se do të kishte evakuime pjesore.
“Në një moment patëm vështirësi në përballimin e flakëve që po afroheshin në mënyrë të beftë, por kemi arritur të minimizojmë dëmet. Kemi ndërhyrë edhe me helikopter, duke arritur të kemi një mbulim sa më të mirë të situatës. Në Luzat është bërë një punë mjaft e mirë, janë shpëtuar shtëpitë, të cilat rrezikonin. Edhe banorët në këtë fshat kanë bërë një punë shumë të mirë për mirëmbajtjen e tokave të tyre, duke lehtësuar edhe punën dhe përpjekjen e FA për të ndërhyrë apo për të patur akses”, theksoi ministri Vengu.
Ndërkaq forcat operacionale ndodhen ende në terren duke vijuar punën për shuarjen e plotë të të gjitha vatrave në këtë zonë.
Vatra e zjarrit në Luzat, në afërsi të Ujit të Ftohtë në Tepelenë po mbahet nën kontroll pasi erërat mund të favorizojnë në riaktivizimin e tij.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




