Ekstradohen tre persona të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të rënda financiare dhe vjedhje

Aktualitet | 2 vite më parë

Policia e Shtetit njofton se janë ekstraduar tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi janë dënuar apo akuzuar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda apo kundër pronës.

Sipas njoftimit të policisë, dy shtetas janë ekstraduar nga Italia dhe një tjetër nga Zvicra.

“S. C. alias A. D. alias S. C., 50 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me dy shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së”, njofton Policia.

Po ashtu, u ekstradua edhe Enea Korreshi, 31 vjeç.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me dy vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë”, njofton Policia.

Nga Zvicra u ekstradua drejt Shqipërisë shtetasi Xh. K., 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.

“Shtetasi Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së”, përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme