Vranë bariun 17 vite më parë, gjykata dënon me nga 18 vite burg Fadil Telushin dhe Viktor Omerin

Dy persona të cilët janë akuzuar për një vrasje 17 vite më parë, ku në afërsi të një stani, në vendin e quajtur “Moçale”, në fshatin Bestrov të rrethit Vlorë, vranë me armë zjarri shtetasin Kleo Gërdhuqi, janë dënuar përfundimisht me 18 vite burg. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale ishin Fadil Telushi dhe Viktor Omeri.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtarë Genti Dokollari dhe anëtare Irena Brahimi dhe Fuat Vjerdha, vendosi të hënën ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke deklaruar fajtor të pandehurin Fadil Telushi, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim, si dhe deklarimin fajtor po të këtij të pandehuri për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje të armëve luftarake”, duke e dënuar me 3 (tre) vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve i pandehuri Fadil Telushi është dënuar me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
Gjykata deklaroi fajtor edhe të pandehurin Viktor Omeri, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, duke e dënuar me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim, si dhe me 3 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në bashkim të dënimeve Viktor Omeri është dënuar me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




