Dogjën sipërfaqe toke me ullinj, procedohen penalisht 2 persona

Policia ka proceduar 2 persona pasi dogjën me zjarr sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në fshatrat Delisuf dhe Gjorm të Vlorës. Sipas policisë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe Stacioni i Policisë Selenicë, u bë zbardhja e dy rasteve të zjarrvënieve në fshatrat Delisuf dhe Gjorm.
Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. L. dhe Sh. L.
“Shtetasi A. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Delisuf, ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, që e kishte marrë me qira, duke rrezikuar edhe parcelat në afërsi, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Shtetasi Sh. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Gjorm, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e oborrit të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast zjarrvënieje apo të paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




