“Kam frikë se mund të më vrasë” – historia e 32-vjeçares nga Gramshi, viktimë dhune dhe incesti

Qyteti i Gramshit u trondit ditë më parë nga historia e incestit dhe abuzimit sistematik të një 32-vjeçareje, nënë e dy fëmijëve, nga vëllai i saj.
Rrëfimi i viktimës erdhi ekskluzivisht për emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, ku gruaja zbuloi denoncimet dhe arrestimet e herëpashershme të të vëllait. Ajo kujtoi edhe episodin e fundit të dhunimit.
“I shtrova tavolinën për t’i ofruar gjithçka kishim për të ngrënë. Ai refuzoi dhe pastaj filloi: ‘ik nga shtëpia, s’e ke ti shtëpinë, zhduki fëmijët nga shtëpia’. Dhe më goditi! Vëllai më tha pse e kisha futur në burg. I thashë që ato që kishte bërë me motrën janë turp i madh. Do të çoj në varreza, më tha,” tregoi e abuzuara.
Fëmijëria e vështirë e 32-vjeçares u shoqërua me tri martesa me të njëjtin përfundim: abuzim deri në ndarje. Megjithëse ndihmohet financiarisht nga shteti për fëmijët e saj pa baba, ajo tha se nuk ka një strehë të sigurt.
“Marr 27 mijë lekë, por kush do i hajë. Siç i marr, m’i merr motra dhe ia çon babait në spital. Mbledh kanaçe, hekura, gozhda për të mbajtur fëmijët. Mbrëmë kam fjetur nëpër lulishte. Edhe kur të shkoj tani në shtëpi do iki me frikë, se po erdhi vëllai më ka kërcënuar me jetë,” tregoi 32-vjeçarja për “Jetë shqiptare”.
Vëllai 36-vjeçar u arrestua në fundjavë nga Policia e Gramshit “pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij dhe dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të”. Në deklaratën e saj, e abuzuara tha se ishte detyruar të kryente marrëdhënie me të edhe herë të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




