Organizoi vrasjen e Inez Hajrullës, arrestohet në Spanjë porositësi Leonard Luzi

Aktualitet | 2 vite më parë

Leonard Luzi është arrestuar në Ibiza të Spanjës, pasi ishte shpallur në kërkim si organizatori i atentatit ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt. 47-vjeçari u arrestua gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi” në Spanjë, pikërisht për atentatin në vitin 2023 në Vlorë.

Luzi akuzohet se më 8 gusht 2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, ngjarje që u parandalua nga policia. Luzi kishte paguar Amarildo Nikollin për vrasjen e Hajrullës dhe Matodashit, i cili u kap nga policia në momentin që do të kryente atentatin. Atij iu sekuestrua edhe pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje për të eliminuar Inez Hajrullën.

Ka qenë Amarildo Nikolli që ka treguar të gjithë ngjarjen duke bashkëpunuar me drejtësinë, që nxori edhe emrin e Leonard Luzit  si organizator i këtij atentati ndaj Ervis Matodashaj, i njohur me pseudonimin “Qorri” dhe Inez Hajrulla i njohur me shkurtimin e emrit “Ini” ose me nofkën “sakati”.

Më shkurt të 2024, GJKKO ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Leonard Luzit për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

Leonard Luzi pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat dhe do të vuajë dënimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme