“Toka Jonë” mbjell pemë në tokat e sekuestruara në Yzberisht

Aktualitet | 2 vite më parë

COSV Albania në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe me mbështetjen e Delegacionit të BE në Shqipëri, organizuan aktivitetin e parë të projektit “Toka Jonë”, pranë Njësisë Administrative nr 14. në Tiranë, që synon rijetësimin e tokave bujqësore të konfiskuara.

“Toka Jonë” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian me qëllim mbështetjen e sipërmarrjes sociale përmes ripërdorimit të tokave të konfiskuara dhe promovimit të bujqësisë sociale në bashkinë Tiranë dhe Durrës.

Projekti zbatohet nga COSV si partner udhëheqës, në partneritet me institucionet shtetërore shqiptare, veçanërisht me Ministrinë e Brendshme, përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Ndonëse në vitet e fundit ka filluar ripërdorimi i pronave të konfiskuara, është hera e parë që në Shqipëri punohet me tokat bujqësore për t’i shndërruar ato në sipërmarrje sociale.

AAPSK ka vendosur në dispozicion të projektit tre asete, dy në Yzberish dhe një në Shijak, të cilat u janë dhënë në përdorim, nëpërmjet skemës së nëngranteve tre organizatave lokale të cilat do të zbatojnë projektet e tyre, përkatësisht Fondacioni Jocselyn në bashkëpunim me Diakonia Agapes, Lëvizja Ecovolis dhe ADAD Malore.

Në fjalën e tij, Erion Ricku – përgjegjës i Sektorit të Marrëdhënieve me Institucionet dhe Çështjeve Ligjore pranë Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, vuri theksin tek angazhimin i këtij institucioni për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,  për të rikthyer pasuritë në shërbim të publikut, duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ligji Nr. 10 192.

“Ky moment shënon një hap të madh përpara dhe është një dëshmi e fuqisë së ligjit dhe drejtësisë. Jemi të vendosur të vazhdojmë këtë rrugë, duke siguruar që çdo pasuri e konfiskuar të shndërrohet në një burim që do të sjellë përfitime reale për shoqërinë”, tha ai.

Razvan Ghitescu, menaxher i Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, vlerësoi rëndësinë e projektit si një mënyrë për të rritur përfshirjen e të rinjve të komnunitetit dhe ekspozimit të tyre ndaj mundësive të reja socio-ekonomike.

“Bashkimi Evropian qëndron krah popullit shqiptar në dërgimin e një mesazhi të fortë se krimi i organizuar nuk do të tolerohet dhe aktivitetet e paligjshme nuk do të jenë fitimprurëse për ata që janë të përfshirë në të”, u shpreh ai.

Ghitescu e mbylli fjalën e tij duke shprehur besimin në rolin që ka shoqëria dhe shteti ynë në krijimin e modeleve pozitive.

“Ne kemi besim te populli shqiptar, duke filluar nga banorët në Yzberish, në shoqërinë civile dhe në qeverinë e këtij vendi që të vazhdojnë t’u mësojnë fëmijëve se ndershmëria dhe puna e palodhur vlen të respektohet. Se njerëzit e ndershëm nuk mund të tremben nga keqbërësit. Se shteti do të mbrojë gjithmonë të pafajshmit dhe do të ndjekë penalisht ata që shkelin ligjin”, theksoi ai.

Mbjellja e pemëve në tokat e sekuestruara në Yzberish, shënjoi jo vetëm hapin e parë në rijetëzimin dhe rritjen e vlerës së këtyre aseteve, por edhe ndërgjëgjësimin drejt krijimit të një kulture komunitare që promovon zhvillimin social dhe ekonomik duke pasur qasje të drejtë dhe ligjore.

Projekti “Toka Jonë” synon të adresojë prioritetet kombëtare për ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara si një zgjidhje efektive për fuqizimin e organizatave jofitimprurëse kombinuar me forcimin e agjencive relevante shqiptare dhe njësive të qeverisjes vendore.

Vlera totale e projektit është afërsisht 400,000 euro, nga të cilat, BE-ja bashkëfinancon 380,000 euro.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme