Përhapen zjarret në Dropull, Balla: Do kërkojmë mbështetjen e Mekanizmit Europian

Një zjarr i madh i favorizuar nga terreni, por edhe era e fortë, vazhdoi të përhapet të enjten në kilometra të tërë të bashkisë së Dropullit.
I futur në emergjencë civile për shkak të situatës me vatrat aktive, në fshatin Terihat gjatë ditës flakët zbritën edhe në zonat e banuara, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve prej tymit.
Situata alarmante çoi në terren ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtorin e emergjencave civile, Haki Çako. Z. balla tha se po punohet pa ndërprerje për fikjen e flakëve me forca zjarrfikëse dhe helikopterë e avionë të posaçëm nga ajri.
“Ky është për nga sipërfaqja, ndoshta zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki, deri në momentin që flasim, por që era që fillon tani pasdite, dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri.
Kemi pasur disa ndërhyrje me helikopter, po ashtu edhe me dy avionë “Canadair”, të vëna në dispozicion nga qeveria greke. Jemi në kontakt me qendrën e Mekanizmit Europian të Solidaritetit, përmes të cilit duam të vazhdojmë luftën edhe nga ajri sepse sikurse e keni parë është pothuajse e pamundur që të ndërhyet në një pjesë të madhe të vatrave ekzistuese të zjarrit, sikurse e shikoni p.sh atje ne, forcat e ushtrisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës e kanë të pamundur, helikopterët e ushtrisë të Forcave tona të Armatosura do të vijojnë të bëjnë fluturimet për fikjen e zjarrit dhe ndërkohë që siç ju thash do të kërkojmë edhe mbështetjen e këtij mekanizmi europian,” u shpreh ministri.

Zyrtarët lokalë kanë garantuar banorët se jeta dhe pasuria e tyre materiale nuk do te preken.
Prefekti i qarkut, Odise Kote, shprehu mirënjohjen dhe falënderoi të gjitha strukturat që për 4 ditë janë bërë pjesë e operacioneve për shuarjen e zjarreve.
Disa vatra zjarri janë rishfaqur edhe në periferi të Gjirokastrës dhe Delvinës. Në të gjithë vendin për shuarjen e 23 vatrave të zjarrit janë angazhuar 464 efektivë zjarrfikës, së bashku me dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




