Zjarr në tokat me ullinj në Vllahatit në Delvinë, shuhet vatra tjetër në Fier

Dy vatra masive zjarri rrezikuan të shtunën mijëra rrënjë pemë ulliri në zona të ndryshme të Jugut.
Një 56-vjeçar banor i Delvinës u arrestua për zjarrvënie të qëllimshme pas raportimeve në polici se i kishte vënë zjarrin një sipërfaqeje me 2.300 pemë ulliri në fshatin Vllahat, që u përkisnin pronarëve të ndryshëm.
Ndërsa në mesditë, kodrat me ullishte të Peshtanit të Vogël në Fier u mbuluan nga flakët për disa orë për shkak të erërave të forta që e ndihmuan përhapjen e tyre në një sipërfaqe 5 hektarë.

Me ardhjen e 6 mjeteve zjarrfikëse nga Fieri dhe kompania Albpetrol, efektivët arritën ta shuajnë vatrën.
Ndërsa zjarri është vënë nën kontroll, forcat zjarrfikëse vazhduan të punojnë për të evituar riaktivizimin e flakëve.
Vatrat e zjarrit në të dy fshatrat ndodhën larg qendrave të banimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke ju garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




