Laboratori i kokainës kolumbiane në Frakull, GJKKO jep vendimin për 10 të pandehurit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha të martën vendimin për 10 të pandehur, të cilët u arrestuan lidhur me laboratorin e drogës që u zbulua në Frakull.
Dosja e SPAK kishte si të pandehur shtetasit Nikolin Gjolena, Viktor Çervenaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanaku, Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Redion Meshi, Julian Malaj, Marildo Rona.
SPAK, pas hetimeve, zbuloi se laboratori i drogës në Frakull realizonte ndarjen e lëndës narkotike nga plehu kimik, pasi droga e llojit kokainë sillej në thasë e bashkuar me pleh kimik
Në momentin kur laboratori u zbulua, u shpall në kërkim edhe një kolumbian, i cili dyshohej se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik, bashkë me dy të tjerë, të specializuar për ta nxjerrë lëndën narkotike nga çdo përzierje tjetër, përfshi edhe nga rrobat.
Nga hetimet ka rezultuar se porosia bëhej në Kolumbi, prej nga niseshin paletat me pleh kimik dhe drogë, ndërsa destinacioni ku bëhej ndarja ishte Shqipëria.
Gjykimi i çështjes
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua duke zbatuar gjykimin e shkurtuar. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Flora Hajredinaj, vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolin Gjolena për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënohet me 15 vite burgim. GJKKO shpalli deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolin Gjolena, edhe për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të ligjit e dënoi me 5 vite burgim. Në bashkim të dënimeve i pandehuri Nikolin Gjolena dënohet me një dënim të vetëm prej 17 vite burgim. Të pandehurit Nikolin Gjolena i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 11 (njëmbëdhjetë) vite e 4 (katër) muaj burgim. Nikolin Gjolena do të vihet në një burg të sigurisë së lartë.
GJKKO deklaroi fajtor edhe të pandehurin Denilson Çervenaku, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e dënuar me 14 (katërmbedhjetë) vite burgim.
Çervenaku u deklarua fajtor edhe për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, duke e dënuar me 5 (pesë) vite burgim. Në bashkim të dënimeve i pandehuri Denilson Çervenaku dënohet me një dënim të vetëm prej 17 ( shtatëmbëdhjetë) vite burgim. Çervenakut i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 11 (njëmbëdhjetë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
GJKKO deklaroi fajtor edhe të pandehurin Viktor Çervenaku, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, duke e dënuar me 14 (katërmbëdhjetë) vite burgim. Deklarimin fajtor të tij edhe për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”. Në bashkim të dënimeve i pandehuri Viktor Çervenaku dënohet me një dënim të vetëm prej 15 (pesembëdhjetë) vite burgim. Çervenakut i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
Vendimet e tjera
Deklarimin fajtor të të pandehurit Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 15 (pesëmbëdhjete) vite burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 5 (pesë) burgim. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra dënohet me një dënim të vetëm prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vite burgim.
Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 11 (njëmbëdhjetë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Zenel Çervenaku për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Zenel Çervenaku, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Zenel Çervenaku dënohet me një dënim të vetëm prej 14 (katërmbëdhjetë) vite burgim.
Të pandehurit Zenel Çervenaku i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 9 (nëntë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtore të të pandehurës Enxhi Ferhati për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të dispozitave GJKKO e dënon me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
Deklarimin fajtore të pandehurës Enxhi Ferhati, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e saj me 2 (dy) vite burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve e pandehura Enxhi Ferhati dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Të pandehurës Enxhi Ferhati i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Redion Meshi për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Deklarimin fajtor të pandehurit Redion Meshi, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Redion Meshi, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Redion Meshi, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Redion Meshi dënohet me një dënim të vetëm prej 14 (katërmbëdhjetë) vite burgim.
Të pandehurit Redion Meshi i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 9 (nente) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Matoshi, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Matoshi, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Deklarimin e pafajshëm të pandehurit Bledar Matoshi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Bledar Matoshi dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Matoshi i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Marildo Rona për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Deklarimin fajtor të pandehurit Marildo Rona, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Marildo Rona dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Të pandehurit Marildo Rona i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Julian Malaj, për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Julian Malaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”. Të pandehurit Julian Malaj i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim. Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të caktuar ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të pandehurit Julian Malaj nga paraburgimi nëse nuk mbahet për shkak të një vendimi tjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




