Shpërdoruan detyrën, në gjashtë muaj u arrestuan 48 efektivë policie, 208 të tjerë u referuan në Prokurori

Aktualitet | 2 vite më parë

Paligjshmëria, shkelja e ligjit, veprimet korruptive, sjellje të pahijshme, apo komunikim jo etik kanë çuar në pranga 48 efektivë të Policisë së Shtetit në gjashtë muajt e këtij viti. Ndërkohë, për 208 të tjerë, materialet janë referuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Vetëm në 25 ditët e këtij muaji, janë vënë në prangat e policisë 12 efektivë,  1 është pezulluar nga detyra dhe 8 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë.

Të dhënat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore saktësojnë se, duke e krahasuar këtë periudhë me atë të një viti ë parë konstatohet se, numri i efektivëve të arrestuar për shkelje të ndryshme ka pësuar rritje me 55% më shumë se vitin e kaluar, ndërsa për hetimet proaktive rritja është me 127%.

Ministria e Brendshme bën të ditur se procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit e ka prioritet, ndaj dhe mbështetja që i është dhënë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, edhe nga partnerët ndërkombëtar, është rritur.

Vetë kjo Agjenci, prej kohësh ka nisur edhe fushatat ndërgjegjësuese, ku i kërkon çdo qytetari që të denoncojë çdo paligjshmëri të efektivëve blu, duke ruajtur anonimatin.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore evidenton shkeljet për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe shërbimit Zjarrfikës për çdo paligjshmëri.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme