Kumbaro: Viti 2023 shënjoi turizmin në Shqipëri. Turistë nga të gjithë kontinentet e botës

Turizmi ishte kryefjala e viti që lamë pas, ndërsa Ministrja e Mirela Kumbaro ka bërë një bilanc të punës së kryer nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për vitin e kaluar.
Ajo bëri me dije se përtej shifrës 10.1 mln turistë, surprizë ishte edhe fakti që turistët ishin nga të gjithë kontinentet e botës. Ministrja bëri me dije se gjatë 9 muajve të parë të 2023, turizmi solli 3.2 mld euro në ekonominë e vendit.
“Përtej shifrës 10.1 mln, kemi pasur përfaqësim gjeografik nga të gjithë kontinentet e botës, përveç Europës që mban peshën më të madhe të flukseve turistike. Një mozaik ku tashmë në një mënyrë ose një tjetër, të gjitha vendet kanë pasur përfaqësuesit e tyre pushues. Padyshim që ka patur një impakt të madh të turizmit, ku gjatë 9 muajve të parë të 2023, kishim 3.2 mld euro të hyra në ekonominë e vendit, ku në 2022 kemi patur 2.8 mld euro për të gjithë vitin. Po ashtu, viti 2023 shënoi edhe rritjen e netëve të qëndrimeve për turistët nga 3-4 në 2022 në 6 net, duke treguar një sektor në rritje”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se programi i promovimit do të vijojë edhe përgjatë vitit 2024, por do të jetë në mënyrë shumë të targetuar. Po ashtu, Kumbaro bëri me dije se në vitin 2025 do të organizohet në Shqipëri Komisioni për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit.
“Do ta vazhdojmë në vitin 2024 të gjithë programin e promovimit, por në mënyrë shumë të targetuar. Në janar Shqipëria do marrë pjesë në panairin në Madrid, shumë i rëndësishëm sepse Spanja njihet si qendra e aktiviteteve turistike ndërkombëtare dhe ndërkohë do vijojmë në mars me ITB Berlin ku Shqipëria do shpallet zyrtarisht si vendi i nderit për ITB Berlin për 2025. Organizata Botërore e Turizmit ka vendosur që për vitin 2025 Komisioni për Europën i kësaj organizate të mblidhet në Shqipëri. 40 ministra do të jenë pjesëmarrës në këtë forum”, u shpreh Ministrja.
Kumbaro tha se flukset më të mëdha të vizitorëve janë të përqendruar në bregdet, prandaj gjatë këtyre viteve është vendosur një standard të ri në lidhje me aplikimet, menaxhimin dhe pastërtinë.
“Është rritur sipërfaqja e detyrueshme e plazheve publike në çdo bashki në 30%, në disa raste edhe 50%. Aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve për vitin 2024 janë përmbyllur në vitin 2023. Në total 1917 aplikime që po shqyrtohen dhe brenda marsit lidhen kontratat mes bashkive, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjekteve. Theksoj që të gjitha të ardhurat, u kalojnë bashkive.
Në lidhje me pastrimin, vazhdojmë operacionin “Plazhe të pastra”, vitin 2022 e nisëm me dyfishimin e frekuencës pastruese në vijën bregdetare të Durrësit, Kavajës, Himarës e Sarandës. Në vitin 2023 shtuam Rogozhinën dhe Vlorën dhhe për vitin 2024 numri i bashkive që do të mbështeten me një operator suplementar nga AKB, nga qershori deri në shtator, shkon në 8, sepse shtohen në këtë skemë Shkodra me plazhin e Velipojës dhe plazhet e Lezhës. Janë tashmë 107 operatorë të turizmit detar të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, u shpreh Kumbaro.
Gjithashtu, Kumbaro theksoi dy projekte të rëndësishme për mjedisin me Bashkimin Europian, EU4Nature për planet e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe EU4Rivers për menaxhimin e ujërave duke i përafruar me standardet e BE.
“Në vitin 2024, do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për ndërtimin e një Sistemi digjital të Integruar Mjedisor pranë AKM”, shtoi minsitrja Kumbaro.
Në mbyllje të konferencës, ministrja Kumbaro tha se viti 2024 do t’i kushtohet pyjeve, me fushata pyllëzimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




