Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve/ Profili në Tik Tok u hap nga kushërira e saj, merren në pyetje familjarët dhe kolegët e saj

Elidon Hyseni është prokurori që po heton çështjen e vetëhelmimit të 41-vjeçares Bedrie Loka nga Vadardha e Sukthit. Nga të dhënat e deritanishme bëhet e ditur se profili në TikTok është hapur nga vajza e tezes së saj në vitin 2022, kur u bë edhe denoncimi në polici.
Policia e hetoi ngjarjen dhe zbuloi identitetin e saj, duke bërë të ditur se bëhet fjale për një person që jeton në Itali. Familjarët e viktimës ndërhynë që të mbyllej profili, por kjo nuk ndodhi.
Deri në fund te vitit të kaluar profili në TikTok kishte marrë afro 30 mijë klikime dhe çështja u bë mjaft e vështirë për 41-vjeçaren. Bëhet e ditur se një nga kolegët e saj në fabrikë ka siguruar foton.
Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje familjarët të cilët kanë shpjeguar se si kanë ndodhur ngjarjet, që nga hapja e profilit dhe deri tek ndërhyrja për ta mbyllur atë. Edhe në fabrikë janë pyetur disa persona, por nuk bëhet e ditur nëse kanë dalë të dhëna të vlefshme për hetimin.
Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve i dha fund jetës tre ditë më parë në banesën e saj, duke u vetëhelmuar. Shkak mendohet të ketë qenë rëndesa psikologjike nga bullizmi që i bëhej prej një adrese false në TikTok, e cila përdorte foton e saj.
Reagimet për ngjarjen kanë qenë të shumta, ku Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur nevojën për eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri. Ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla kërkoi të ashpërsohet legjislacioni për krimet kibernetike.
Familja Loka, me origjinë nga Dibra, jeton prej disa vitesh në Vadardhë të Sukthit në një banesë 2-katëshe, që 41-vjeçarja e ndante me tre djemtë e saj, ndërsa vajza ishte e martua dhe bashkëshorti punonte në Greqi.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




