Liderët evropianë apel Iranit dhe Izraelit: Ndaloni përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit

Udhëheqësit evropianë i kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje pasi një valë sulmesh hakmarrëse izraelite shënjestroi objekte ushtarake iraniane.
Ministria e Jashtme franceze ka nënvizuar se duhet të ndalet çfarëdolloj përshkallëzimi i mëtejshëm, duke theksuar se “Franca ka mësuar për njoftimin e Izraelit për sulme kundër objektivave ushtarake në Iran. Franca u kërkon menjëherë palëve që të përmbahen nga çdo përshkallëzim apo veprim që mund të përkeqësojë situatën”.
Nga ana e saj, Zvicra ka nënvizuar se “dënon përshkallëzimin e rrezikshëm të dhunës në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet e sotme ajrore të Izraelit në Iran”.
“Armiqësitë duhet të pushojnë nga të gjitha anët për të shmangur përkeqësimin e përshkallëzimit rajonal”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme zvicerane.
Po ashtu, kancelari Olaf Scholz ka deklaruar se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme.
“Mesazhi im për Iranin është i qartë: reagimet masive të përshkallëzimit nuk duhet të vazhdojnë. Kjo duhet të marrë fund tani. Atëherë do të ketë një mundësi për zhvillim paqësor në Lindjen e Mesme,” ka shkruar Scholz në rrjetin “X”.
Irani ka deklaruar nga ana e tij, se sulmet e Izraelit kanë shkaktuar “dëme të kufizuara” edhe pse dy ushtarë mbetën të vrarë.
Sulmet priteshin prej kohësh dhe vijnë teksa Izraeli po kryen një operacion të madh në Gazën veriore dhe betejën kundër grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




