Kompanitë ajrore në SHBA, Europë pezullojnë fluturimet drejt Izraelit

Europë | 2 vite më parë

Disa kompani ajrore njoftuan në fundjavë se kanë pezulluar fluturimet drejt Izraelit dhe Libanit për arsye sigurie dhe në vazhdën e tensioneve të ditëve të fundit, të nxitura më tej nga Irani.

Kompania “United Arlines” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se nuk do të ketë fluturimet e përjavshme deri në datën 6 gusht. Më herët edhe “US Delta Airlines” pezulloi fluturimet drejt Izraelit.

Britanikët e “British Airways” e dhanë njoftimin të mërkurën.

“Lufthansa”, kompania gjermane e fluturimeve, po ashtu njoftoi se nuk do të mundësojë udhëtimet drejt Bejrutit dhe Tel-Avivit deri në datat 8 gusht dhe 12 gusht, përkatësisht. 

“ITA Airways”, kompania kombëtare e Italisë, dhe “Swiss International Airlines” po ashtu kanë pezulluar fluturimet për në Tel-Aviv deri në datën 6 dhe 8 gusht, përkatësisht, për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe të pasagjerëve.

Pezullimet i paraprijnë përplasjeve të mundshme dhe zgjerimit të konfliktit midis Izraelit nga njëra anë dhe Iranit, grupit libanez Hezbollah dhe palestinezët e Hamasit, nga ana tjetër.

Të martën Izraeli deklaroi se ka vrarë komandantin e Hezbollahut, Fuad Shukr, ndërsa grupi palestinez Hamas dhe Irani e kanë akuzuar Tel-Avivin edhe për vrasjen e Ismail Hanijehut në kryeqytetin iranian ditën e mërkurë.

Hamasi dhe Irani kanë premtuar se do të hakmerren për vrasjen e liderit palestinez, ndërsa Hezbollahu po ashtu është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndaj vrasjes së Shukrit. /AA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme