Kievi kërkon të taksojë bizneset për të financuar luftën, por kundërshtohet

Europë | 2 vite më parë

Bizneset ukrainase kanë hyrë në “luftë” me qeverinë në Kiev, e cila po planifikon të rrisë taksat për të përballuar luftën e saj reale me Rusinë.

Konflikti Rusi–Ukrainë vazhdon prej tre vitesh dhe sot “janë shteruar të gjitha burimet e tjera për të rritur financimin për forcat e armatosura”, tha të mërkurën ministri i Financave, Sergi Marçenko (o. Sergii Marchenko).

Ideja e qeverisë është të akumulojë rreth 2,7 miliardë euro shtesë nga taksat në mënyrë që të përmbushë objektivin për shpenzimet prej 12 miliardë euro për mbrojtjen e vendit. Nëse realizohet rritja, 60 për qind e parave do të shkonin për pagesat e ushtarakëve dhe 40 për qind për armatimet.

“Kërkimi i të ardhurave shtesë te rritja e taksave do t’i ngarkojë tejmase bizneset. Në kuadër të agresionit rus dhe shkatërrimit të infrastrukturës apo reduktimit të tregjeve dhe të ikjes së personelit, një presion tjetër fiskal mbi bizneset ukrainase do e bënte të pamundur qëndrueshmërinë ekonomike,” reagoi këtë javë Dhoma e Tregtisë e Ukrainës.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm amerikan për rimëkëmbjen e ekonomisë së Ukrainës, Peni Prixker (o. Penny Pritzker), sugjeroi që “qeveria të rritë të ardhurat kryesisht duke reformuar doganat dhe duke luftuar tregun gri”.

Qeveria ukrainase u takua të mërkurën me bizneset për të arritur një marrëveshje, por bisedimet do të vijojnë javën tjetër. “Pranuam që ky është fillimi i dialogut,” tha kryeministri Denis Shmihal (o. Denys Shmyhal) pas takimit.

Ukraina ka shpërndarë rreth 37 për qind të prodhimit të vet të brendshëm, apo 40 miliardë dollarë, për mbrojtjen, duke e siguruar thuajse të gjithë sasinë nëpërmjet taksimit. /Politico

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme