Çmimi i BE për të drejtat e njeriut

Parlamenti Evropian të martën dorëzoi çmimin e lartë të BE për të drejtat e njeriut, që më herët iu nda Mahsa Aminit dhe Lëvizjes iraniane “Gra, Jetë, Liri”. Kjo lëvizje u formua një vit më parë, pas vdekjes së 22-vjeçares në paraburgim në Teheran, ku dyshohet se u keqtrajtua nga Policia e Moralit.
Çmimi Sakharov iu dorëzua dy aktivisteve iraniane për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe avokatit të 22-vjeçares. Familja e Mahsa Aminit nuk mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Strasburg, pasi autoritetet iraniane i bllokuan daljen nga vendi, duke u sekuestruar pasaportat në aeroportin e Teheranit.
22-vjeçarja iraniane ndërroi jetë më 16 shtator të një viti më parë, ndërsa mbahej nga policia e Moralit e Iranit me pretendimin se kishte shkelur kodin e veshjes për gratë. Vdekja e saj në paraburgimin iranian shkaktoi protesta masive mbarëkombëtare.
Çmimi Sakharov është krijuar në vitin 1980 për të nderuar individët dhe organizatat që i promovojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ai përfshin një shumë prej 50 mijë eurosh.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




