Politika shqiptare dënon sulmin e Hamasit në Izrael: Shqipëria, kundër terrorizmit

Botë | 3 vite më parë

Politika shqiptare ka dënuar sulmin e Hamasit kundër Izraelit. Në një postim në X, i njohur më parë si Tuiter (Twitter), kryeministri Edi Rama shkruan se vendi ynë është i vendosur kundër terrorizmit.

“Dënoj fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan Rama.

Po ashtu, edhe Presidenti Bajram Begaj dënoi sulmet, duke shprehur mbështetjen për Izraelin.

“Dënoj fuqishëm sulmet e Hamasit kundër Izraelit. Në këto momente, ne qëndrojmë krah Izraelit. Lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Shqipëria është e vendosur kundër terrorizmit te çdo forme”, shkruan Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, teksa dënoi sulmin, u shpreh se Shqipërua do të vijojë të jetë në krah të aleatëve , SHBA dhe BE, kundër terrorizmit.

“Kuvendi i Shqipërisë dënon ashpërsisht sulmin terrorist të Hamas kundër Izraelit dhe është në krah të popullit izraelit në këto momente të vështira. Lutjet, mendimet dhe mbështetja jonë shkon për viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre në Izrael.  Shqipëria do të vijojë të jetë në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë dhe të paqes”, shkruan Nikolla.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka shprehur solidaritetin ambasadores së Izraelit në Tiranë, Galit Peleg pas sulmit masiv.

“Sapo i shpreha Ambasadores së Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, solidaritetin tonë me popullin e Izraelit ndërsa vijojnë sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Shqipëria përmes Kryeministrit Edi Rama i dënoi ashpër këto sulme terroriste dhe mban një qëndrim të fortë kundër terrorizmit. Mendimet dhe lutjet tona sot janë për viktimat e këtij sulmi të pabesë, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin“, shprehet ministri Balla.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur i tronditur nga sulmi, duke shprehur po ashtu mbështetje ndaj popullit dhe shtetit të Izraelit.

“I tronditur thellë nga sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre, duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit të Izraelit dhe miqve tanë në këtë orë të vështirë për ta“, shkruan Basha.

Mëngjesin e kësaj të shtune (7 tetor), Hamasi goditi me raketa nga Gaza Izraelin, duke i marrë jetën të paktën 22 personave, ndërsa më shumë se 500 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në një reagim, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është në luftë, duke kërcënuar Hamasin për hakmarrje.

Në lidhje me sulmin ka reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me Izraelin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme