Sulmi me raketa i Hamasit ndaj Izraelit, ja çfarë duhet të dini deri më tani mbi konfliktin

Botë | 3 vite më parë

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij është “në luftë” pasi militantët palestinezë në Gaza hodhën një breshëri vdekjeprurëse raketash dhe dërguan njerëz të armatosur në territorin izraelit në një përshkallëzim të madh të konfliktit të gjatë midis dy palëve.

Autoritetet izraelite thonë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe rreth 800 të tjerë janë plagosur në sulmin e papritur herët në mëngjesin e sotëm.

Autoritetet palestineze thanë se rreth 200 njerëz janë vrarë pasi Izraeli nisi sulmet ajrore. Ndërsa luftimet vazhdojnë ende në terren.

Njihuni me disa nga detajet kryesore të asaj çfarë ka ndodhur deri më tani:

Hamasi merr përgjegjësinë: Hamasi, lëvizja militante palestineze që drejton Gazën, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Militantët hodhën më shumë se 2000 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael, sipas ushtrisë izraelite, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Izraelin jugor nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi thotë se ka kapur disa ushtarë izraelitë pranë kufirit, por ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.

Përgjigja e ushtrisë izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën sulme kundër një numri objektivash të Hamasit në Gaza dhe po thërrasin mijëra rezervistë. Forcat e IDF po luftonin në terren të shtunën në të paktën gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë disa fshatra, dy baza ushtarake dhe pika kufitare.

Çfarë thotë Netanyahu: Kryeministri izraelit është zotuar se Hamasi do të “paguajë një çmim që nuk e ka ditur kurrë” për sulmin.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë – jo në një operacion, as në raunde, por në luftë”, tha ai në një video-mesazh.

Skena në terren: Banorët e dy komuniteteve izraelite i thanë stacionit televiziv Channel 12 të vendit se sulmuesit nga Gaza po përpiqen të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Ata janë lutur vazhdimisht në TV për ndihmë nga ushtria izraelite. Ndërkohë, fotot ofrojnë disa nga pamjet e para në terren, dhe IDF ka publikuar video të atyre që thotë se janë sulme ajrore ndaj objektivave të Hamasit në Gaza.

Alarm në të gjithë botën: Zyrtarët amerikanë e kanë parë me shqetësim sulmin në shkallë të gjerë. Presidenti amerikan Joe Biden dhe Netanyahu pritet të flasë së shpejti, liderët në mbarë botën, siç ka ndodhur gjatë konflikteve të mëparshme, bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Një datë domethënëse: Sulmi i befasishëm erdhi në 50-vjetorin e Luftës së vitit 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre,  transmeton CNN.

Harta e vendit ku po zhvillohen luftimet:

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme