Kronologjia e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve në Gazë nga viti 2005

Lëvizja islamike palestineze “Hamas” kreu të shtunën sulmin e saj më të madh ndaj Izraelit ndër vite, duke lëshuar një breshëri raketash nga Gaza dhe duke dërguar luftëtarë përtej kufirit.
Izraeli tha se është bërë gati për luftë dhe filloi sulmet e veta kundër Hamasit në Gazë, ku në kufirin jugor izraelit raportohet se pati përplasje me armë midis forcave të sigurisë dhe luftëtarëve palestinezë.
Renditja e mëposhtme kronologjike fillon me tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës në vitin 2005 dhe liston rastet kryesore të konfliktit midis Izraelit dhe grupeve palestineze në enklavën me 2,3 milionë njerëz.
Gusht 2005 – Forcat izraelite tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga Gaza 38 vjet pasi ia morën Egjiptit gjatë luftës në Lindjen e Mesme, duke braktisur banesat dhe duke e lënë enklavën nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

25 janar 2006 – Grupi islamik “Hamas” fiton shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare të Palestinës. Izraeli dhe SHBA-ja ndërprenë ndihmat për palestinezët, sepse “Hamasi” refuzoi të heqë dorë nga dhuna dhe të njohë shtetin e Izraelit.
25 qershor 2006 – Militantët e “Hamasit” kapin rekrutin e ushtrisë izraelite, Gilad Shalit, duke nxitur Izraelin të nisë sulmet ajrore. Shaliti u lirua pesë vjet më vonë pas shkëmbimit të të burgosurve.
14 qershor 2007 – “Hamasi” merr përgjegjësinë në Gazë pas një lufte të shkurtër civile, duke rrëzuar forcat besnike të presidentit palestinez Mahmud Abas, i cili ndodhej në Bregun Perëndimor.
27 dhjetor 2008 – Izraeli nis ofensivën ushtarake 22-ditore në Gazë, pasi palestinezët qëlluan me raketa në qytetin jugor izraelit të Sderotit. Rreth 1.400 palestinezë dhe 13 izraelitë u raportuan të vrarë përpara se të arrihej armëpushimi.

14 nëntor 2012 – Izraeli vret shefin e shtabit ushtarak të “Hamasit”, Ahmad Jabari, duke sjellë tetë ditë sulme me raketa nga militantët palestinezë dhe ushtria izraelite.
Korrik–gusht 2014 – Rrëmbimi dhe vrasja e tre adoleshentëve izraelitë nga “Hamasi” çon në një luftë shtatëjavore nga e cila u raportua se mbetën të vrarë më shumë se 2.100 palestinezë në Gazë dhe 73 izraelitë, 67 prej tyre ushtarakë.
Mars 2018 – Fillojnë protestat palestineze në kufirin e rrethuar të Gazës me Izraelin. Trupat izraelite hapin zjarr për të zmbrapsur protestuesit. Më shumë se 170 palestinezë raportohen të vrarë në protesta disamujore, të cilat gjithashtu nxitën luftime midis “Hamasit” dhe forcave izraelite.

Maj 2021 – Pas disa javësh tensioni gjatë muajit të agjërimit mysliman të Ramazanit, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në kompleksin e Al-Aksës në Jerusalem, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.
Pasi i kërkoi Izraelit të tërheqë forcat e sigurisë nga kompleksi, “Hamasi” lëshoi një breshëri raketash nga Gaza drejt Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Gazë, luftime që vazhduan për 11 ditë dhe lanë të paktën 250 njerëz të vrarë në Gazë dhe 13 në Izrael.
Gusht 2022 – Të paktën 44 njerëz, përfshirë 15 fëmijë, u vranë në tre ditë dhune, që nisën kur forcat izraelite goditën nga ajri një komandant të lartë të Xhihadit Islamik.

Izraeli tha se sulmet ishin një operacion parandalues kundër një sulmi të pritshëm nga lëvizja militante e mbështetur nga Irani, që synonte komandantët dhe depot e armëve. Si kundërpërgjigje, Xhihadi Islamik lëshoi më shumë se 1 mijë raketa drejt Izraelit. Sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” i Izraelit parandaloi dëmet serioze dhe viktimat.
Janar 2023 – Xhihadi Islamik në Gazë lëshoi dy raketa drejt Izraelit, pasi trupat izraelite sulmuan një kamp refugjatësh dhe vranë shtatë persona të armatosur palestinezë dhe dy civilë. Raketat ndezën alarmin në komunitetet izraelite pranë kufirit, por nuk shkaktuan viktima. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në Gazë.
Tetor 2023 – “Hamasi” nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit ndër vite nga Rripi i Gazës, një sulm i befasishëm që përfshiu kalimin e kufirit nga persona të armatosur dhe një breshëri raketash. Xhihadi Islamik tha se luftëtarët e tij do të sulmojnë bashkë.
Ushtria izraelite ka thënë se është në prag lufte dhe ka kryer sulme kundër “Hamasit” në Gazë dhe ka thirrur rezervistët. /Reuters
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




