Shantazh me foto të rreme nudo/ 11 minorenë në Spanjë kërcënonin dhe iu kërkonin para viktimave

Botë | 3 vite më parë

Hetuesit spanjollë kanë identifikuar 11 minorenë që dyshohet se janë pas shpërndarjes së një numri fotosh të rreme me pamje ku disa nxënëse shfaqen të zhveshura që janë krijuar përmes përdorimit të aplikacioneve të inteligjencës artificiale.

Në disa raste pamjet në fjalë janë përdorur për të kërcënuar dhe zhvatur vajzat në fjalë. Skandali në fjalë ka tronditur qytezën e Almendralejo, në provincën jugperëndimore të Badajoz, pasi doli në pah që fotot e rreme me vajzat e zhveshura kishin dalë në qarkullim që në muajin korrik.

Nënat e viktimave ndërkohë e kanë çuar çështjen në prokurori.

Burime të policisë thonë se tre nga adoleshentët e identifikuar mund të jenë krijuesit e mundshëm të pamjeve, ndërsa tetë të tjerët ishin pjesë e një grupi komunikimi në Whatsapp që i kanë shpërndarë ato.

Shumë nga të dyshuarit janë nën moshën 14 vjeç dhe sipas ligjit spanjoll nuk mund të procesohen për veprimet e tyre. 

Polica kombëtare ndërkohë po vijon hetimet, ku janë identifikuar 30 viktima të moshave nga 11 deri në 17 vjeç.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme