Millei: Armët e Koresë së Veriut për Rusinë nuk bëjnë ndonjë ndryshim të madh në luftën në Ukrainë

Koreja e Veriut mund të jetë në gjendje të rrisë furnizimin e Rusisë me municione artilerie për luftën në Ukrainë, por kjo nuk ka të ngjarë të bëjë ndonjë ndryshim të madh. Komentet u bënë nga oficeri më i lartë ushtarak amerikan ndërsa mbërriti në Norvegji për takimet e NATO-s që filluan të shtunën dhe do të fokusohen pjesërisht edhe në këtë konflikt.
Gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Millei (Mark Milley), kryetar i Shefit të Shtabit të Përbashkët, tha se takimi i fundit në Rusi midis udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Xhong Un dhe presidentit rus Vladimir Putin ndoshta do ta çojë Korenë e Veriut që t’i ofrojë Moskës raketa artilerie 152 mm të kohës sovjetike. Por ai tha se nuk ishte ende e qartë se sa dhe sa shpejt do të ndodhë kjo.
“A do të kishte një ndryshim të madh? Unë jam skeptik për këtë”,- u tha Millei gazetarëve që udhëtonin me të.
Ai tha se megjithëse nuk dëshiron të zvogëlojë shumë ndihmën e armëve theksoi se “dyshoj se do të ishte vendimtare”.

Qeveritë dhe ekspertët e huaj kanë spekuluar se Kim ka të ngjarë të furnizojë me municion Rusisë në këmbim të marrjes së armëve ose teknologjisë së avancuar nga Rusia.
Millei dhe shefat e tjerë të mbrojtjes nga vendet e NATO-s po takohen në zonën e skive Holmenkollen në buzë të Oslos gjatë disa ditëve të ardhshme për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe çështje të tjera të mbrojtjes rajonale.
Nga atje, Millei do të marrë pjesë në takimin mujor të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani të martën.
Ky grup, i udhëhequr nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloid Austin (Lloyd Austin), është forumi kryesor ndërkombëtar për grumbullimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Takimet e NATO-s vijnë pasi forcat e Ukrainës po bëjnë përparim të ngadaltë duke thyer linjat e mbrojtjes ruse në një kundërofensivë që nuk ka lëvizur aq shpejt ose aq mirë sa shpresohej fillimisht.
Udhëheqësit e Kievit po lobojnë për një raund të ri armësh të avancuara, duke përfshirë raketa me rreze më të gjatë.
Adm. Rob Bauer i Holandës, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha të shtunën në hapje të takimit se historia do të tregojë se “Ukraina ka transformuar luftën moderne dhe se ato po ecin përpara çdo ditë. Çdo sukses është një hap më afër fitores.”
Ai tha se forcat ruse “vazhdojnë të humbasin gjithnjë e më shumë terren dhe e gjithë Rusia po vuan nën ndikimin e sanksioneve ekonomike dhe izolimit diplomatik”.
Millei tha se ekziston një nevojë e vazhdueshme për më shumë armë dhe pajisje në Ukrainë dhe se aleatët dhe partnerët do të diskutojnë se si ta trajtojnë këtë. Ai tha se beson se do të vazhdojë mbështetja të gjerë dypartiake në Shtetet e Bashkuara dhe Kongresin e SHBA për ndihmën.
Ligjvënësit amerikanë janë gjithnjë e më të ndarë për ofrimin e ndihmës shtesë për Ukrainën, pasi lufta është në vitin e saj të dytë. Presidenti Xho Baiden (Joe Biden), ka propozuar një paketë prej 13.1 miliardë dollarë më shumë në ndihmë ushtarake dhe 8.5 miliardë dollarë për mbështetje humanitare. Republikanët konservatorë po bëjnë presion për shkurtime të gjera të shpenzimeve federale dhe disa nga ata që janë aleatë me ish-presidentin Donald Tramp po kërkojnë në mënyrë specifike që të ndalojnë paratë për Ukrainën.
Çështja do të jetë një temë kryesore në Uashington në javën e ardhshme kur presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe Kapitol Hill gjatë ndalesës së tij në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




