Mbi 2 mijë njerëz gjetën vdekjen, pse ky ishte tërmeti më shkatërrimtar në 60 vjet për Marokun

Botë | 3 vite më parë

Tërmeti me magnitudë 6.8 që goditi Marokun të premten konsiderohet si më shkatërrimtari në 60 vite për këtë vend.

Autoritetet kanë shpallur tre ditë zie kombëtare, ku shumë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit që cilësohet më vdekjeprurësi për Marokun në më shumë se 60 vjet.

Cilat janë zonat e prekura?

Epiqendra e tërmetit ishte e vendosur në provincën Al Haouz në Atlasin e Lartë të maleve – një zonë që zakonisht nuk shoqërohet me tërmete – rreth 75 km nga Marakeshi, qyteti i katërt më i madh i Marokut.

Marakeshi është edhe një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të cilin raportohet se është prekur keq. Al Haouz ishte provinca më e goditur, pasi provincat Ouarzazate, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant gjithashtu u prekën rëndë.

Si maten tërmetet?

Tërmeti me magnitudë 6.8 është klasifikuar si “i fortë” sipas shkallës Rihter, që mat fuqinë e tërmeteve.

Pra, ishte një tërmet 10 herë më i fortë se tërmeti i fundit më i fortë me magnitudë 5.8 i vitit 1960.

Për ta vënë këtë në kontekst, tërmetet që regjistrojnë një magnitudë 4 ose më pak konsiderohen të jenë të lehta, por mund të shkaktojnë ende dëme.

Një tërmet me magnitudë 5 është 10 herë më intensiv se një tërmet 4 ballë dhe mund të shkaktojë dëme të lehta në ndërtesa. Tërmetet me magnitudë 6 zakonisht konsiderohen të forta dhe janë 100 herë më intensive se një tërmet me magnitudë 4.

Tërmetet me magnitudë 7 konsiderohen të rënda, me potencial për të shkaktuar humbje të konsiderueshme jetësh njerëzore dhe dëme të mëdha materiale.

Tërmetet që regjistrojnë një magnitudë 8, 9 ose më të lartë mund të rezultojnë në humbje shumë më të madhe të jetëve njerëzore dhe shkatërrim pothuajse total të zonës së prekur, transmeton Al Jazeera.

Madhësia, thellësia, afërsia me zonat e banuara, kushtet e tokës dhe mundësitë për të shkaktuar fatkeqësi dytësore si cunami dhe rrëshqitjet e dheut janë vetëm disa nga shumë faktorë që përcaktojnë se sa shkatërrues mund të jetë një tërmet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme