Ligjvënësit republikanë, hetime prokurores së çështjes kundër ish-Presidentit Trump në Xhorxhia

Botë | 3 vite më parë

Ligjvënësit republikanë nisën të enjten një hetim ndaj prokurores së Qarkut Fulton në Xhorxhia, Fani Willis, kjo pasi ish-Presidenti, Donald Trump, po përgatitet të paraqitet tek autoritetet për akuzat penale që ajo ka ngritur për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, një aleat besnik i Trump, i dërgoi Prokurores Willis një letër ku parashtron pyetje nëse ajo e koordinoi hetimin e saj me Departamentin amerikan të Drejtësisë, përfshirë me Prokurorin e Posaçëm Jack Smith, apo  përdori fonde të mbledhura nga taksat federale për hetimin e saj.

“Qeveria federale ka një interes domethënës për mirëqenien e ish-presidentëve”,- shkruan ligjvënësi Jordan në letrën drejtuar Prokurores Willis.

 

Ligjvënësi Jordan ngre shqetësime për motivet që pati prokurorja për të filluar këtë çështjeje hetimore dhe deklaron se Kongresi ka autoritetin “të hetojë nëse ish-presidentët janë bërë objekt procesesh hetimore të motivuara politikisht”. 

Zyra e Prokurores Willis nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi Jordan dhe kryetarët e dy komisioneve të tjera të Dhomës së Përfaqësuesve kanë filluar një hetim të ngjashëm edhe ndaj Prokurorit të Qarkut Manhatan, Alvin Bragg, i cili ngriti akuza penale ndaj ish-Presidentit Trump, në lidhje me shumat e paguara për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Në përgjigje, Prokurori Bragg paraqiti padi ndaj Ligjvënësit Jordan për të ndalur atë që prokurori e quan një “fushatë frikësimi”.

Ligjvënësi Jordan i dha Prokurores Willis kohë deri më 7 shtator për të paraqitur dokumentat dhe komunikimet që kanë të bëjnë me përdorim të fondeve federale nga zyra e saj, si dhe kontaktet në lidhje me çështjen kundër ish-Presidentit Trump me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, apo në pjesë të tjera të administratës së Presidentit Biden. 

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve u bë i ditur tre ditë pasi ish-Presidenti Trump akuzoi Prokuroren Willis në platformën e tij të medias sociale për “vazhdim të fushatës, dhe mbledhje fondesh për këtë GJUETI SHTRIGASH.

Sipas dosjes së paraqitur nga Prokurorja Willis, ish-Presidenti Trump akuzohet se bëri presion të paligjshëm ndaj zyrtarëve të shtetit Xhorxhia për të përmbysur humbjen e tij përballë Presidentit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Ish-presidenti përballet me 91 akuza penale në gjykata të ndryshme në mbarë vendin. Ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje. Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme