Programi i armëve të Iranit/ Prezantohet “Mohajer-10”, droni më i ri i prodhuar në vend

Botë | 3 vite më parë

Irani ka prezantuar dronin e ri të prodhuar në vend, “Mohajer-10”, gjatë një aktiviteti për ditën e industrisë së mbrojtjes mbajtur në kryeqytetin Teheran.  

Droni i ri ka aftësinë të fluturojë për një periudhë kohore prej 24 orësh pa ndërprerje, në një lartësi deri 7 mijë metra dhe të mbulojë një rreze veprimi prej 2 mijë kilometra.

Sipas agjencisë së lajmeve “Tasnim”, droni “Mohajer” mund të transportojë një peshë prej 300 kilogramë, si dhe të mbajë një sasi karburanti deri 400 litra. 

Shpejtësia maksimale e këtij droni është 210 kilometra në orë.

Gjatë ceremonisë, presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, paralajmëroi kundërpërgjigje nëse vendi i tij do të sulmohej.

“Forcat tona të armatosura do të presin çdo dorë që përfshihet në akte agresioni ndaj Iranit,” raportohet të ketë thënë Raisi.

Në muajin maj, SHBA dhe Franca shprehën shqetësim për raketat balistike të prezantuara nga Irani.

Në muajin qershor, forcat e armatosura paraqitën edhe raketën e parë balistike hipersonike të quajtur “Fattah”, e cila mund të udhëtojë me shpejtësinë e zërit. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme