Luftime të ashpra në Ukrainën Lindore/ Forcat e Kievit sulmojnë luftanijen ruse duke e nxjerrë jashtë funksioni

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia kreu aksione të fuqishme sulmi përgjatë gjithë vijës së frontit lindor në 24 orët e fundit.
“Pushtuesit po përpiqen me të gjitha forcat të ndalojnë djemtë tanë. Sulmet janë shumë të ashpra”, tha ai në një video-fjalim.
Zelensky renditi qytetet e Kupyanskit, Lymanit, Bakhmutit, Marinkas dhe Avdiivkas të cilat janë të vendosura në frontin lindor nga veriu në jug si zonat më të rrezikshmet të vijës së luftës. “Por, pavarësisht se çfarë bën armiku, janë forcat ukrainase ato që dominojnë”, deklaroi lideri ukrainas.
Ushtria ukrainase tha se kishte goditur me dronë detarë një anije luftarake ruse duke e nxjerrë atë jashtë funksioni.
Dronët britanikë të detit, të quajtur USV, të cilët ukraina i zotëron, janë anije të vogla pa pilot që mund të lëvizin edhe nën sipërfaqen e ujit ndërsa godasin objektivat.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha këtë të premte se kishte zmbrapsur sulmet e dy dronëve ukrainas, të cilët kishin sulmuar gjatë natës bazën Novorosisk në Detin e Zi.
Megjithatë në një video të shpërndarë në rrjete sociale shihet një anije e marinës ruse e dëmtuar rëndë teksa tërhiqet për në port.
Sulmet në Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia refuzoi të vazhdojë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, që i mundësonte Ukrainës të transportojë grurin përmes këtij deti drejt tregjeve botërore.
Gazetar A.Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




