Grusht shteti në Niger, gjenerali Abdourahmane Tchiani e shpall veten lider të vendit

Gjenerali, Abdourahmane Tchiani, është shpallur lideri i ri i Nigerit pas një grushti dramatik shteti. I njohur edhe si Omar Tchiani, ai organizoi një grusht shteti, i cili filloi të mërkurën kur njësia e rojeve presidenciale që ai drejtonte kapi liderin e vendit.
Presidenti i rrëzuar, Mohamed Bazoum, ishte lideri i parë i zgjedhur i Nigerit, që pasoi një tjetër që nga pavarësia në 1960. Bazoum aktualisht mendohet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbahet rob nga rojet e tij.
Ai ishte konsideruar si një aleat kyç nga vendet perëndimore në luftën kundër militantëve islamikë në rajon. Franca, ish-fuqia koloniale, ka thënë se nuk njeh asnjë nga udhëheqësit e grushtit të shtetit dhe se do të njohë vetëm zotin Bazoum si kreun e shtetit.
“Ne përsërisim me termat më të fortë kërkesën e qartë të komunitetit ndërkombëtar për rivendosjen e menjëhershme të rendit kushtetues dhe pushtetit civil të zgjedhur në mënyrë demokratike”,- thuhet në një deklaratë nga ministria e jashtme franceze.
Grushti i shtetit është dënuar gjithashtu nga institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë Bashkimin Afrikan, bllokun rajonal të Afrikës Perëndimore (Ecowas), BE-në dhe OKB-ja. Megjithatë, lideri i grupit mercenar rus Wagner thuhet se ka lavdëruar grushtin e shtetit, duke e përshkruar atë si një triumf.
“Ajo që ndodhi në Niger nuk është asgjë tjetër veçse lufta e popullit të Nigerit me kolonizatorët e tyre,”- citohet të ketë thënë Yevgeny Prigozhin në një kanal Telegram të lidhur me Wagner.
BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë vërtetësinë e komenteve të tij.
Grupi Wagner besohet të ketë mijëra luftëtarë në rajon, duke përfshirë edhe Republikën e Afrikës Qendrore (CAR) dhe Mali, ku ka interesa fitimprurës biznesi, por gjithashtu forcon edhe marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike të Rusisë.
Luftëtarët e Wagner janë akuzuar për abuzime të përhapura të të drejtave të njeriut në disa vende afrikane.
Gjenerali Tchiani, 62 vjeç, ka qenë në krye të gardës presidenciale që nga viti 2011 dhe u promovua në gradën e gjeneralit në vitin 2018 nga ish-presidenti Mahamadou Issoufou.
Ai kishte qenë gjithashtu i lidhur me një përpjekje për grusht shteti të vitit 2015 kundër ish-presidentit, por u paraqit në gjykatë për ta mohuar atë.
Duke folur në një fjalim televiziv, gjenerali Tchiani tha se junta e tij mori pushtetin për shkak të disa problemeve në Niger, duke përfshirë pasigurinë, problemet ekonomike dhe korrupsionin, ndër të tjera.
Ai iu drejtua gjithashtu aleatëve globalë të Nigerit, duke thënë se junta do të respektojë të gjitha angazhimet ndërkombëtare të vendit, si dhe të drejtat e njeriut.
Por junta ka thënë fjalë të forta për ata që e kundërshtojnë, duke akuzuar anëtarët e qeverisë së rrëzuar dhe që janë strehuar në ambasadat e huaja, se kanë komplotuar kundër tyre.
Ata thanë se çdo përpjekje kundër juntës do të çonte në gjakderdhje, e cila deri më tani është shmangur.
Jeta në kryeqytetin Niamey është kthyer kryesisht në normalitet me tregjet dhe dyqanet e hapura, por nëpunësve civilë u është thënë të shkojnë në shtëpi.
Ndërkohë nigerianët kanë ndjenja të përziera për grushtin e shtetit. Disa që thonë se pasiguria në vend nuk ishte aq e rëndë sa të justifikonte një grusht shteti. Por të tjerët kanë mbështetur juntën.
Grushti i shtetit i Nigerit është i fundit në valën e njëserie ndërhyrjesh ushtarake që kanë goditur rajonin e Afrikës Perëndimore në vitet e fundit, duke rrëzuar qeveritë në vende si Mali, Guinea dhe Burkina Faso.
Ajo vjen gjithashtu si një goditje e madhe për udhëheqjen e Ecowas. Vetëm dy javë më parë, kryetari i bllokut, presidenti Bola Tinubu, paralajmëroi se terrorizmi dhe modeli në zhvillim i grushteve të shtetit në Afrikën Perëndimore kishin arritur nivele alarmante dhe kërkoi veprime urgjente dhe të bashkërenduara.
Tani ka shqetësime në Perëndim se me cilat vende do të bashkohet lideri i ri. Fqinjët e Nigerit, Burkina Faso dhe Mali, të dy janë drejtuar drejt Rusisë që nga grushtet e shtetit të ndodhura në vendet e tyre.
Ky është grushti i pestë në Niger, që kur fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




