Greqia në “betejë” me zjarret, Mitsotakis: Do jemi në gatishmëri të vazhdueshme

Botë | 3 vite më parë

Beteja për shuarjen e zjarreve në ishullin grek të Rodosit dhe atë të Korfuzit po vijon, ndërsa vatra të reja kanë shpërthyer përsëri në 24 orët e fundit.

Më shumë se 2,000 pushues kryesisht nga Britania, Gjermania dhe Italia, u larguan nga ishulli i Rodosit si pasojë e zjarreve të fuqishëm, ndërsa shumë të tjerë pritet të nisen në orët në vijim.

Vendimi i qeverisë greke për evakuimin më të madh të turistëve në 50 vitet e fundit, vjen pasi nga zjarret e fuqishme në vitin 2018 në Mati, afër Athinës, humbën jetën mbi 100 persona, mes tyre shumë turistë.

Autoritetet e Mbrojtjes Civile thonë se situata vazhdon të jetë jashtë kontrollit për shkak të valës së nxhetësisë që ka përfshirë të gjithë Greqinë, dhe erërave të cilat kanë favorizuar shtimin e vatrave të zjarreve. 

“Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë. Do të rindërtojmë atë që humbëm e do të kompensojmë ata që u lënduan“, tha në parlament kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. 

“Kriza klimatike është tashmë këtu. Ajo do të shfaqet kudo në Mesdhe me fatkeqësi më të mëdha”, shtoi ai.

Gazetar Artur Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme