Të shtëna me armë në Zelandën e Re vetëm disa orë para nisjes së Kupës së Botës për femra! 2 viktima dhe 6 të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur në Auckland të Zelandës së Re, pasi një person hapi zjarr në qendër të qytetit. Ngjarja u regjistrua vetëm disa orë përpara se qyteti të nisë Kupën e Botës FIFA për femra. Autori i sulmit humbi jetën pasi u qëllua nga policia, ndërsa motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta.
Kryeministri i vendit, Chris Hipkins tha se sulmi nuk po shihej si një akt terrorist, duke theksuar se turneu do të vazhdojë siç ishte planifikuar.
Sipas kryebashkiakut të Auckland, Wayne Brown, i gjithë personeli i FIFA-s dhe ekipet e futbollit janë të sigurt.
“Nuk më kujtohet që diçka e tillë të ketë ndodhur ndonjëherë në qytetin tonë të bukur. Ngjarjet e këtij mëngjesi kanë qenë tragjike dhe shqetësuese për të gjithë banorët e Auckland-it, pasi kjo nuk është diçka me të cilën jemi mësuar,” shkroi Brown në Twitter.
Ndeshja hapëse e Kupës së Botës do të zhvillohet mes Zelandës së Re dhe Norvegjisë në Eden Park të qytetit.
Ministri i Sportit, Grant Robertson tha se do të ketë polici shtesë në zonë për të garantuar siguri.
Kupa e nëntë e Botës për Femra po bashkëorganizohet nga Zelanda e Re dhe Australia./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




