NATO përgatit planin më të madh ushtarak, që nga Lufta e Ftohtë, për t’u mbrojtur nga Rusia

Botë | 3 vite më parë

NATO paraqet rinovimin më të madh të planeve ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, nëse Moska do të guxojë të zgjerojë konfliktin. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologët e tij të NATO-s kanë vendosur të miratojnë një ndryshim të madh, lidhur me sistemin e planifikimit të aleancës. Kjo do të bëhet gjatë një samiti në kryeqytetin lituanez Vilnius javën e ardhshme.

NATO, si organizatë, nuk i ofron armë apo municione Ukrainës. Por në të njëjtën kohë, ajo po forcon masivisht sigurinë e vendeve anëtare pranë Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Rreth 40,000 trupa janë në gatishmëri nga Estonia në veri deri në Rumani në Detin e Zi. Rreth 100 avionë ngrihen në qiell në atë territor çdo ditë dhe gjithsej 27 anije luftarake janë duke operuar në Detin Baltik dhe Mesdhe. Këto shifra është vendosur që të rriten.

Sipas planeve të reja, NATO synon të ketë deri në 300,000 trupa gati për të lëvizur në krahun e saj lindor brenda 30 ditëve. Planet e ndajnë territorin e saj në tre zona – në veriun e lartë dhe zonën e Atlantikut, një zonë në veri të Alpeve dhe një tjetër në Evropën Jugore.

Bauer tha se planifikimi i ri i NATO-s bazohet në fuqinë e ushtrisë ruse përpara se Presidenti Vladimir Putin të niste luftën kundër Ukrainës, pothuajse 17 muaj më parë. Ai tha se lufta ka varfëruar ushtrinë ruse, por jo forcat e saj detare apo ajrore.

Nga forcat tokësore të Rusisë, rreth “94% tani janë të angazhuar në luftën në Ukrainë,”- tha Bauer.

“Ajo që ne shohim në përgjithësi është se rusët janë të kujdesshëm rreth NATO-s. Ata nuk janë duke kërkuar një konflikt me NATO-n. Mendoj se kjo është një shenjë se ata janë shumë, shumë të zënë,”- tha ai. “Në luftën tokësore, unë nuk mendoj se ata kanë shumë forca në dispozicion për t’i bërë dëm ndonjë vendi tjetër.”

“Por ne jemi të bindur se rusët do të rindërtohen,”- tha ai. 

“Ne do të vazhdojmë t’i shikojmë ata si një kërcënim serioz, në det, dhe në ajër veçanërisht, dhe në hapësirë, pasi ata janë ende shumë, shumë, të aftë, e të mos flasim në ato që kanë të bëjnë me armët bërthamore.”

Një revoltë e mercenarëve të Wagner në Rusi në fund të muajit të kaluar ngriti shqetësime të thella lidhur me sigurinë në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, pasi u arrit një marrëveshje që lideri i tyre, Yevgeny Prigozhin, të lejohej të strehohej në Bjellorusi.

Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha se vendet fqinje do të përballeshin me një rrezik të shtuar nëse Grupi Ëagner vendos “vrasësit serialë” të tij pak mbi kufirin e Lituanisë.

Vilnius është rreth 35 kilometra nga kufiri i Bjellorusisë. Lituania dëshiron të ketë një prani të përhershme të NATO-s në territorin e saj.  Gjermania sinjalizoi javën e kaluar se do të ishte e gatshme të vendoste ushtarë atje nëse kërkohet.  Për momentin, NATO nuk sheh asnjë kërcënim të afërt që të vi nga Bjellorusia.

31 vendet anëtare të NATO-s morën pjesë në një “konferencë të gjenerimit të forcës” javën e kaluar në një përpjekje për të kuptuar se sa trupa dhe sa pajisje mund të ketë aleanca në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo sulmi rus, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme