Sulmi rus mbi restorantin në Kramatorsk, humb jetën shkrimtarja Victoria Amelina

Botë | 3 vite më parë

Shkrimtarja ukrainase e vlerësuar me çmime Victoria Amelina ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga goditja e raketës ruse të  restorantit në qytetin lindor të Kramatorsk, të martën. Studiuesja e krimeve të luftës është e 13-ta që humb jetën nga sulmi rus mbi Ukrainë.

Shoqata e shkrimtarëve PEN Ukraine tha se mjekët bënë gjithçka që mundën për të shpëtuar jetën e saj, por fatkeqësisht plagët ishin fatale. Ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut, e kanë quajtur sulmin një krim lufte.

Amelina, 37 vjeçe, po darkonte me një delegacion gazetarësh dhe shkrimtarësh kolumbianë në sallën e njohur Ria Lounge të qytetit kur u godit nga raketa. Rreth 60 persona të tjerë u plagosën në këtë sulm.

Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin në Dnipro, por iu nënshtrua lëndimeve të premten, tha PEN Ukraine.

“Me dhimbje të madhe ju informojmë se zemra e shkrimtares Victoria Amelina pushoi së rrahuri më 1 korrik. Në ditët e fundit të jetës së Viktorias, familja dhe miqtë e saj ishin pranë saj”, thuhej në një deklaratë të grupit.

Amelina ishte një nga shkrimtaret e reja më të famshme të Ukrainës, e cila filloi të dokumentonte krimet e luftës pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar. Ajo gjithashtu filloi të punojë me fëmijët pranë vijës së frontit.

Kramatorsk është nën kontrollin e Ukrainës, por është afër pjesëve të pushtuara nga Rusia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme