Rusia rinis sulmet me dronë iranian kundër Kievit, të gjitha rrëzohen nga mbrojtja ukrainase

Pas një qetësie relative, Rusia nisi sërish të dielën sulme me dronë kundër kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
“Të gjithë dronët shpërthyes Shahed të prodhuara nga Irani u zbuluan dhe u rrëzuan”,- tha Serhii Popko, kreu i administratës së qytetit të Kievit.
Në shënjestër u vu edhe rajoni përreth Kievit. Guvernatori rajonal i Kievit, Ruslan Kravchenko, raportoi se një person u plagos nga rënia e mbeturinave nga një dron i shkatërruar.
Zyrtarët në kryeqytetin ukrainas nuk dhanë një numër të saktë të dronëve që sulmuan qytetin. Por forcat ajrore të Ukrainës thanë se në të gjithë vendin, tetë raketa “Shaheds” dhe tre “Kalibr” u lëshuan nga rusët.
Ushtria e Ukrainës raportoi se luftime më intensive janë zhvilluar në lindje të Ukrainës, të fokusuara rreth Bakhmut, Marinka dhe Lyman në provincën Donetsk të vendit, ku u zhvilluan 46 përleshje të natyrës luftarake.
Në Rusi, zyrtarët lokalë raportuan se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan një dron mbi rajonin Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën, ndërsa rajoni fqinj Kursk u përball me granatime. Nuk raportohet për viktima apo dëme materiale. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




