Luftimet Rusi-Ukrainë, Kievi pretendon për përparime në fushëbetejë

Ushtria ukrainase pretendon se ka arritur disa “suksese” në luftimet në rajonin lindor të Donjeckut, ndërsa ka shqetësime lidhur me mundësinë e betejave që kërcënojnë të shkaktojnë një katastrofë në centralin bërthamor të Zaporizhjës në jug të shtetit.
Sulme me dronë dhe raketa të Rusisë janë raportuar në disa zona gjatë natës. Anatoly Kurtev, sekretar në këshillin e qytetit të Zaporizhjës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë, tha se ushtria ka thënë se asnjë civilë nuk është plagosur dhe nuk janë shkaktuar dëme të mëdha në sulmet e kryera gjatë natës nga Rusia.
Ushtria ukrainase tha se forcat e saj “kanë pasur sukses dhe po bëhen më të forta në dëbimin e rusëve nga pozicionet që ata kishin marrë nën kontroll më herët”. Në raportin e Shtabit u tha po ashtu se rusët po vazhdojnë të rezistojnë.
Ndërkohë, në përfundim të samitit dyditor në Bruksel, liderët e Bashkimit Evropian përsëritën zotimet “për të ofruar mbështetje të qëndrueshme ushtarake për Ukrainën, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Por, Hungaria e kundërshtoi planin e Komisionit Evropian për t’i dhënë më shumë para Ukrainës dhe Budapesti nuk është i gatshëm të kontribuojë për të financuar kostot e menaxhimit të borxheve të BE-së, tha kryeministri hungarez Viktor Orban.
BE-ja do t’i japë Ukrainës një pako e ndihma me një vlerë prej 50 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar ndihmë shtesë ushtarake, veçanërisht të avionëve të avancuar luftarakë, por edhe anëtarësimin e shtetit të tij në NATO, por Brukseli nuk pritet t’i ofrojë Kievit anëtarësim të plotë në aleancë gjatë samitit të NATO-s më 11 dhe 12 korrik.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




