Vrasja e adoleshentit/ Përshkallëzohen protestat në Francë, qytetarët përplasen me policinë, më shumë se 400 të arrestuar

Botë | 3 vite më parë

Më shumë se 400 persona janë arrestuar në të gjithë Francën pas përshkallëzimit të protestave për vrasjen e adoleshentit nga policia.

Të paktën tre qytete përreth Parisit, duke përfshirë Clamart, Compiègne dhe Neuilly-sur-Marne, vendosën shtetrrethim të plotë gjatë natës, pasi një raport i inteligjencës së policisë i publikuar në mediat franceze parashikonte “dhunë të përhapur urbane gjatë netëve të ardhshme”.

Në Nanterre, protestuesit dogjën makina, hodhën predha ndaj policisë, shruanin “Hakmarrja për Nahelin” nëpër ndërtesa dhe në mbrëmje, i vunë zjarrin një banke.

Përleshjet e dhunshme midis protestuesve dhe policisë shpërthyen gjithashtu në Lille, Toulouse, Marseille, Lyon, Pau dhe Montpellier.

Sakaq, avokati i policit që qëlloi 17-vjeçarin Nahel thotë se oficeri i ka kërkuar falje familjes dhe është “i shkatërruar”.

“Fjalët e para që ai shqiptoi ishin për të thënë falje dhe fjalët e fundit që tha ishin për t’i kërkuar falje familjes. Ai është i shkatërruar, ai nuk ngrihet në mëngjes për të vrarë njerëz”, tha Laurent-Franck Lienard teksa shtoi se qëllimi i policit ishte të qëllonte për ta trembur, dhe jo për ta vrarë.

“Ai duhej të ndalohej, por padyshim [oficeri] nuk donte të vriste shoferin,” tha ai, duke shtuar se ndalimi i klientit të tij po përdorej për të qetësuar rebelët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme