Stoltenberg: NATO do të mbrojë aleatët nga kërcënimi i Vagnerit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se aleanca ushtarake është e gatshme të mbrohet kundër çdo kërcënimi që vjen nga lëvizja e forcës mercenare ruse Vagner duke qenë se zhvendosja e ushtrisë private në Bjellorusi mund të krijojë destabilitet për anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore.
Ky reagim i Stoltenbergut vjen pasi shefi i Vagnerit, Yevgeny Prigozhin, u raportua se kishte mbërritur në Bjellorusi të martën sipas një marrëveshjeje të negociuar nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili pengoi ngushtë mercenarët të marshonin drejt Moskës të shtunën, pasi ushtria private rebeloi kundër liderëve ushtarakë të Rusisë.
“Nëse Vagneri vendos vrasësit e tij serialë në Bjellorusi, të gjitha vendet fqinje do përballen me rrezik edhe më të madh të destabilitetit”, tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda pas një takimi në Hagë me Stoltenberg të NATO-s dhe udhëheqësit e qeverisë nga gjashtë aleatët e tjerë të NATO-s.
Nga ana tjetër, presidenti polak Andrzej Duda tha se shpresonte se kërcënimi i paraqitur nga mercenarët e Vagnerit për NATO-n do të ishte në rendin e ditës në samitin e 31 të anëtarëve në Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.
“Kjo është vërtet serioze dhe shumë shqetësuese dhe ne duhet të marrim vendime shumë të forta. Kërkon një përgjigje shumë e ashpër të NATO-s”, tha Duda.
Gjithsesi Stoltenberg tha se ishte shumë herët për të thënë çfarë do të thotë prania e Vagnerit në Bjellorusi për aleatët e NATO-s, por nga ana tjetër sipas tij, aleanca ushtarake do të mbronte çdo aleat dhe çdo centimetër të territorit të NATO-s kundër kërcënimeve që vijnë nga Moska ose Minsku.
“Ne kemi rritur tashmë praninë tonë ushtarake në pjesën lindore të aleancës dhe do të marrim vendime të mëtejshme për të forcuar më tej mbrojtjen tonë kolektive me më shumë forca të gatishmërisë së lartë dhe më shumë aftësi në samitin e ardhshëm”, tha Stoltenberg.
Prigozhin nuk është parë që nga e shtuna, kur ai u largua nga qyteti jugor rus të Rostov mbi Don, të cilin luftëtarët e tij e pushtuan për pak kohë, transmeton Al Jazeera.
Të martën në mëngjes, një avion privat që besohet se i përkiste Prigozhin fluturoi nga Rostov në drejtim të kryeqytetit bjellorus, Minsk.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




